Aktori Dardan Gashi shpërthen: ‘Askush s’e prek familjen time, boll ma me islamofobi!’
Thursday, 27 November 2025 23:43
Aktori Dardan Gashi ka reaguar fuqishëm pasi bashkëshortja e tij, e mbuluar dhe e shoqëruar nga dy fëmijët, u ofendua rëndë në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë. Sipas Gashit, gjithçka nisi kur djali i tyre 9-vjeçar, i gëzuar pas programit të 28 Nëntorit, preku pa qëllim këmbën e një të riu. Kaq mjaftoi që personi të shpërthente në ofendime të rënda me bazë fetare, duke përdorur fjalor banal dhe blasfemik.
I tronditur nga telefonata e djalit, Gashi thotë se falënderon Zotin që s’u gjend aty, sepse ndryshe “lajmet do të raportonin për një Dardan tjetër”. Ai denoncon hapur atë që e quan produkt të narrativave islamofobe dhe paralajmëron se çdo durim ka kufi. Gashi përmbyll duke bërë betimin e tij personal: nderi dhe familja mbrohen me çdo çmim.
Postimi i plotë i Gashit:
Sot djali im 9-vjeçar pati programin shkollor për 28 Nëntorin. I veshur me pantallona të zinjë dhe me bluzën me shqiponjën dykrenare në gjoks, ai shkëlqeu në skenë bashkë me shoqet dhe shokët e klasës duke kënduar “Mora fjalë”. Na emocionuan të gjithëve – mua, bashkëshorten dhe fëmijët.
Pas programit, bashkëshortja mori fëmijët dhe shkoi te takohej me motrën e saj në sheshin “Zahir Pajaziti”. Nili, i emocionuar e i gëzuar, duke ecur në shesh preku lehtë këmbën e një djali rreth të 30-ave. Një prekje e pafajshme e një fëmije 9-vjeçar, i shoqëruar me nënën e tij të mbuluar… dhe kjo mjaftoi që ky tip i sëmurë nga islamofobia të shpërthente në ofendime ndaj një nënë me dy fëmijë të vegjël.
E shau, e ofendoi në mënyrën më banale. Dhe kur pa që po injorohej, ai vazhdoi me fyerje që s’kanë vend në asnjë shoqëri: “Juve duhet me ja sh*** edhe Muhamedit edhe Jezusit.”
I befasuar dhe i tronditur, Nili mori telefonin e nënës dhe më thirri për të treguar çfarë kishte ndodhur.
Falenderoj Allahun që nuk e kam takuar unë përballë. Sot lajmet ndoshta do të raportonin për një Dardan që as familja, as shoqëria, as kush nuk e kishte njohur “ashtu”. I mbushur me mllef vendosa të shprehem publikisht.
Ky tip është produkt i narrativave të atyre gerrgjylave të moshuar të “Lëvizjes së Deçanit” dhe pseudo-profesorëve si Blerim Latifi, që ushqejnë kokat bosh me urrejtje ndaj muslimanëve. Por duhet ta kuptojnë një gjë: çdo mllef ka një kufi. E kur shperthen, le ta dinë këta islamofobë që, vallahi, në damarët tanë qarkullon gjaku i Shaban Polluzhës e Azem Galicës.
Një betim po ua bëj: nuk kam krenari më të madhe sesa me e mbrojt nderin dhe familjen time, me çdo çmim.