Lidhje


Prifti dhe djalli sipas Blushit, narrativa e një personazhi/letërise imagjinare

 

Alban Gorishti

 

Në ekspozitën e tij fotografike, Ben Blushi ndërton idenë e “priftit dhe djallit” një koncept në dukje sfidues, por në thelb produkt i imagjinatës letrare, një konstrukt i vetëdijshëm i disa premisave tërësisht imagjinare, vendosur mes tokës dhe hijeve të polemikës. Ai krijon një perceptim përplot përplasjesh të brendëshme ideologjike ku figura reale, priftërinjtë, vendosen nën dritën e interpretimit të tij subjektiv, duke u bërë mjete për provokim banal, ndërkohë që ngërthen premisa të gabueshme dhe narrativa paragjykuese, ashtu siukrse shpesh e kemi parë të bëjë me islamin apo simbolet e tij.

 

Edhe pse historikisht, priftërinjtë mbartin një dikotomi të dyfishtë, të mbushur me kontraste që pasqyrojnë tensionin midis moralitetit dhe pushtetit. Për besimtarët, ata janë shembuj shenjtërie, udhërrëfyes shpirtërorë dhe simbole hyjnore, të përkushtuar ndaj Zotit dhe komunitetit, të ngjashëm me murgjit dhe priftërinjtë e përshkruar në Kur’an dhe Bibël si shembuj devotshmërie. Por për kritikët dhe skeptikët, figura e priftit shpesh paraqitet si e dobët, e papërsosur, e ndikuar nga ambicia ose mëkatet njerëzore, dhe në disa raste madje si djallëzore, siç tregojnë skandalet e shumta që kanë shënuar historinë e kishës, nga akuzat për korrupsion dhe abuzime të Mesjetës deri tek përplasjet ideologjike në shekullin XX. Por gjithsesi ata janë figura njerëzore reale jo sikurse letërsia (apo fotografia në rastin konkret) imagjinare e Blushit.

 

Që nga heretikët e Mesjetës, si Valdenzët dhe Lollardët, që sfiduan autoritetin e papëve duke promovuar një version më të pastër dhe moral të fesë, tek propagandat sekulare të shekullit XX që portretizuan priftërinjtë si instrumente të pushtetit dhe manipulimit, figura e priftit ka qenë gjithmonë simbol i dualitetit moral dhe hyjnor. Ai është një konstrukt që ka shërbyer si instrument kritik, një pasqyrë e frikës dhe respektit, por edhe një metaforë për tensionin midis idealit shpirtëror dhe realitetit njerëzor. Blushi siç duket, duke e kthyer këtë kontrast në premisën e tij kryesore, prifti si portret i Zotit, hija si portret i djallit, ndërton një narrativç që duket realiste, por që në fakt është krejtësisht imagjinare.

Kjo narrative ka efekt, sepse blen vëmendjen e publikut duke përdorur gjysmë të vërteta dhe spekulime mbi persona realë. Ajo ushqen paragjykime dhe përgjithësime që mund të përdoren për të mbështetur narrativa të gabuara sikurse edhe ato islamofobe ose ateiste njësoj si propagandat historike që kanë përdorur figura fetare për të justifikuar përjashtime, diskriminim ose përndjekje. Madje, kjo qasje është e ngjashme me narrativa të kohëve moderne që deformojnë besimet dhe praktikën fetare për tu shërbyer agjendave letrare ose ideologjike sekulariste ateiste.

 

Në kontrast me këtë narrative të stisur, Kur’ani i përshkruan disa prej priftërinjve dhe murgjve si figura të devotshme dhe shembull moral për njerëzit: “Do të gjesh më të afërt me dashuri për besimtarët ata që thonë: ‘Ne jemi të krishterë.’ Kjo është sepse në mesin e tyre ka priftërinj dhe murgj, dhe ata nuk janë arrogantë.” Maideh 82

 

Ky ajet thekson se devotshmëria dhe moraliteti janë ajo që i bën njerëzit të afërt me të tjerët, pavarësisht fesë. Ai sfidon çdo narrative që do t’i portretizojë automatikisht priftërinjtë si figura djallëzore ose negative, apo tërësisht hyjnore të pagaubueshme duke treguar se paragjykimet dhe spekulimet janë të rreme dhe të dëmshme madje në rastin e Bushit një marketing viziv i thurrur mbi premisa marrin frymëzim nga grotesku i Kafkë-s.

 

Fotografia dhe dialogu i Blushit me Fevziun bëhen kështu një shembull se si imagjinata letrare, kur përplaset me realitetin, mund të prodhojë narrativa të rrezikshme për këdo nga komunitetet të vendosura nën shënjestrën e tij paragjykuese. Blushi si autor i një letërise imagjinare ka liri absolute të eksperimentojë me hije dhe simbolika, por kur ky eksperiment përdor figura reale, rezultatet nuk janë thjesht artistike, ato forcojnë paragjykime dhe ushqejnë narrativa të njëanshme mbi besimin, duke e kthyer artin në instrument të deformimit të perceptimit publik.

 

Blushi është një simbol i tensionit mes imagjinatës letrare dhe realitetit historik, një personazh që provokon dhe i bën lexuesit të paaftë të ndajnë fantazinë nga faktet, realitetin nga letërisa groteske. Por kjo sfidë ka kosto, ajo mund të ushqejë të njëjtat narrativa paragjykuese që shoqërojnë sulmet historike ndaj fesë dhe komuniteteve fetare, duke rikrijuar, në format modern, tensionet e së kaluarës që jo gjithmonë janë thjesht pjesë e letërsisë, por pasqyrë e paragjykimit njerëzor e në narrativën e Blushit pasojë e trashgimisë së tij komuniste dhe premisave të stisura letrare.

XS
SM
MD
LG