Lidhje


Gylenizmi në peshoren e jurispruencës islame: Ai që nuk ka legjitimitet brenda komunitetit, nuk mund ta prodhojë atë jashtë tij

Nga Alban Gorishti
 
 
Pikë së pari duhet thënë se legjitimiteti fetar nuk është formalitet është një kontratë morale ndërmjet besimtarëve.Në traditën islame, legjitimiteti nuk dhurohet nga forma, titujt ose njohjet diplomatike ai buron nga amaneti, pranimimi i komunitetit dhe ndershmëria e marrjes së pozicionit. Çdo udhëheqje fetare që ngrihet mbi mekanizma të dyshimtë, ndikime të jashtme apo mashtrim institucional konsiderohet, në gjuhën e teksteve klasike, një devijim dhe jo një autoritet i vlefshëm moral.Sigurisht një arsye që e zhvlerëson autoritetin juridik.
 
 
 
Sipas normave të Profetit a.s dhe dijetarëve që e ndoqën udhën e tij, udhëheqja e marrë me mashtrim nuk ka nder, nuk ka autoritet moral, nuk gëzon respekt dhe duhet zëvendësuar, sepse udhëheqja është amanet, jo platformë ndikimi.
 
 
Kam disa kohë që jam duke ndjekur një përpjekje për të normalizuar mardhëniet e FETO-s (gylenistët) me bashkësitë islame shqiptare jashtë vendit (jo vetëm ato shqiptare), një tentativë e dëshpëruar për të prodhuar legjitimitet artificial jashtë Shqipërie pasi që kanë kohë që e kanë humbur atë brenda vendit.
 
 
Në jurisprudencën islame, marrja e një posti me mashtrim, ndërhyrje të aktorëve të jashtëm, apo me manipulim procedural konsiderohet shkelje e rëndë e parimit të “amanetit” . Ky koncept nuk është çështje moraliteti abstrakt, por një kategori juridike e sanksionuar në hadithe autentike dhe në literaturën normative të dijetarëve klasikë, nga Mawardi te Ibn Tejmije. Në kontekstin shqiptar, përplasjet rreth legjitimitetit të kryesisë së KMSH-së, e cila perceptohet gjerësisht si e infiltruar nga grupime gyleniste, e venë këtë temë në një terren ku diskursi fetar, juridik dhe sociopolitik ndërthuren thellësisht. Imam Mawardiu në Ahkam es-sultanijeh përkufizon të drejtën e udhëheqjes fetare si: “Udhëheqja jepet vetëm te ai që ka meritë dhe pranim të komunitetit, përndryshe, duhet korrigjuar.”
 
 
Këtë na e ka sqaruar edhe pejgamberi a.s kur ka thënë se: “O Ebu Dherr.. udhëheqja është amanet, ditën e gjykimit është poshtërim dhe pendim, përveç atij që e merr me të drejtë dhe e përmbush detyrimin e saj.” (Sahih Muslim, Kitab el Imara). Ky hadith është gur themeli i faktit se marrja e postit nuk është e lejuar për atë që e synon me ambicie, mashtrim apo influenca të jashtme të huaja ndaj komunitetit. Po ashtu ai a.s ka thënë : “Kush na mashtron, nuk është prej nesh.”(Sahih Muslim). Dijetarët e aplikojnë këtë hadith për çështjet e pushtetit, mashtrimi në procesin e zgjedhjes së udhëheqjes e bën personin moralisht të padenjë për postin, edhe nëse juridikisht ka krijuar një status faktik. Kështu nuk e di nëse komunitetet islame jashtë Shqipërie e dinë kë kanë përballë kur ftojnë krerët e organizatës famëkeqe FETO? A vallë dinë me kë bëjnë marrveshje dhe konferenca, apo u intereson të bëjnë thjesht show? Vallë a u intreson të ndërtojnë një bashkësi legjitime fetare të bazuar në moral dhe përgjegjshmëri apo një aleancë të cilën sheriati e targeton si abuzive dhe të padrejtë?
 
 
Por le të shohim në parimet juridike islame, ato parime që realisht abrogojnë legjitimitetin e një pozite të marrë me mashtrim. Në fikh ekziston një rregull juridik: «ما بُنِيَ على الغرور فهو باطل», «العقود التي بُنيت على الغرور تُبطل». Pra : “Çdo kontratë, marrëveshje ose pozitë e ngritur mbi mashtrim, komplot të fshehtë ose iluzion, është e pavlefshme dhe e paqëndrueshme sipas ligjit dhe etikës islame.” (Gazali, Ihja, vëllimi 3. Neveviu në Sherh Muslim). Pra sipas këtij rregulli pozitat e marra nga rrjetet gyleniste në Shqipëri, pa pranim real të komunitetit, janë të pavlefshme sipas traditës islame. Kjo tregon se një post i marrë me gënjeshtër, fshehje apo ndikim të jashtëm moralisht dhe juridikisht nuk ka vlefshmëri normative. Po ashtu thuhet tek rregulli i amanetit: الأمانة شرط في كل ولاية “Amaneti është kusht për çdo pozicion udhëheqës.” Nëse kushti mungon, pozita është jo vetëm e dyshimtë është e pavlefshme sipas etikës fetare. Po ashtu Mawardi ka thënë kur citon kushtet e prijësisë së saktë : وَمِنْ شُرُوطِ الإِمَامَةِ أَنْ تَكُونَ عَنْ رِضًا وَاخْتِيَارٍ، فَإِنْ عُقِدَتْ بِمَكْرٍ أَوْ قَهْرٍ فَهِيَ غَيْرُ صَحِيحَةٍ, “Ndër kushtet e imamatit është të jetë me pëlqim dhe zgjedhje. Nëse merret me mashtrim apo imponim, ajo nuk është e vlefshme.” Ahkam el sultanijeh fq 6-7
 
 
Sipas imam el Mawardit në veprën e tij monumentale Ahkam el Sultanijeh, specifikon se legjitimiteti i udhëheqësit fetar bazohet në : Zgjedhje të rregullt,pa ndërhyrje të jashtme, pa mashtrim dhe pa detyrim, me pranim real të komunitetit". Duhet të dinë bashkësitë e nderuara jashtë apo brenda Shqipërisë që presin dhe përcjellin krerët gylenistë të KMSH-së se ata nuk plotësojnë asnjë nga kriteret e sipërpërmendura ndaj edhe kur këto mungojnë, udhëheqja humb bazën e saj normative.
 
 
Teksa Ibn Tejmije në Sijase Sherije fq 32 thotë : فَكُلُّ مَنْ غَرَّ النَّاسَ فِي وِلَايَةٍ أَوْ تَقَدَّمَ لِمَا لَا يَسْتَحِقُّهُ فَهُوَ غَيْرُ مُطَاعٍ, “Kush i mashtron njerëzit për të marrë një pozitë, ose paraqitet për atë që nuk e meriton, nuk i takon ti bindesh.”
 
 
Pra në kontekstin tonë një prijësi e tillë e instaluar përmes strukturave paralele dhe kapjes institucionale nga fraksione të organizuara gjetkë (sikurse janë strukturat e FETOS të shpallura si organizatë terroriste), nuk plotëson kriteret e amanetit islam por ato të uzurpimit të postit me mashtrim, zgjedhje të manipuluara, vjedhje të meritokracisë dhe instalim i strukturave të huaja të lidhura me grupe okulte ndërkombëtare. Kështu pra respekti i kësaj udhëheqje të padrejtë e të pamerituar, është i rrezikshëm, sepse normalizon tradhtimin e komunitetit. Teksa lidhur me këtë ibn Kajmi në Ilam el muekiine thotë: “Pozitat ndërtohen mbi amanetin, kush nuk ka amanet, nuk ka pozitë.”. Teksa Kadi Ijad në Ikmal Mulim thotë: “Kur nga një autoritet shfaqet kufër ose padrejtësi të qartë, bindja ndaj tij bie dhe ai duhet të hiqet.”
 
 
Fenomeni i depërtimit të gylenizmit në strukturat fetare shqiptare me përkrahje të jashtme, por me pranim minimal të brendshëm është një shembull i tipit të asaj që në sociologji quhet kapje institucionale (institutional capture) dhe manufactured legitimacy, një autoritet i prodhuar artificialisht, që kërkon të duket legjitim nga jashtë, ndërsa brenda nuk gëzon as respekt, as pranim, as besueshmëri fetare. Udhëheqja nuk merret përmes lojërave të fshehta ajo merret vetëm me të drejtë. Në terma akademikë pozicioni i marrë me mashtrim nga rrjetet gyleniste përfaqëson: kapje institucionale (institutional capture),iluzion të autoritetit (gurur), mashtrim funksional (functional deception), pavlefshmëri morale (moral invalidity), mungesë legjitimiteti komunitar (community legitimacy deficit).
 
 
Kështu pra duhet theksuar me forcë se dijetarët klasikë nga Gazali te Ibn Tejmije kërkojnë korrigjimin e menjëhershëm të çdo pozite të marrë përmes mashtrimit. Por si mund të korrigjohet një realitet i tillë ku individë dhe institucione, brenda e jashtë vendit, mbyllin sytë para këtyre parimeve, duke shkelur drejtësinë dhe paanësinë, e duke u kthyer në bashkëpunëtorë të uzurpimit institucional? Kur amaneti tradhtohet dhe mashtrimi legjitimohet, kriza nuk është më vetëm juridike është morale, shoqërore dhe civilizuese.”
 
 
XS
SM
MD
LG