Devijimet në besim të Organizatës te*roriste Fetullah Gylen 2
PRETENDIMI SE FLET ME ALLAHUN .
Gyleni e paraqet veten në një pozitë të tillë sikur flet drejtpërdrejt me Allahun e Lartmadhëruar dhe Pejgamberin (s.a.s.), sikur direktivat që merr nga Allahu i Lartmadhëruar dhe Pejgamberi (s.a.s.) ua përcjell ndjekësve të tij. Fragmentet e mëposhtme, që transmetohen nga materialet e botuara, regjistrimet e zërit dhe pamjet e Gylenit, e nxjerrin në pah këtë të vërtetë. Njëri prej shembujve tipikë janë rreshtat e mëposhtëm: “Nëse Allahu, një pjesë të rrezeve që dërgon nga ana e tij, i përthyen mbi dikë dhe më pas ky i pasqyron te të tjerët, a nuk duhet që për këtë punë të lartë dhe të shenjtë, ai njeri, të përulet dhe të bëhet sa një grusht para Allahut, në shenjë falenderimi ndaj Tij, sepse e bëri njeri të zgjedhur?” (Gülen, Fasıldan Fasıla 4, Nil Yayınları, Izmir 2009, f. 108).
Në këtë fragment shihen qartë këto kritere: 1. Me rrezen që vjen nga Allahu synohen të dhënat, të cilat Allahu i Lartmadhëruar i dërgon nëpërmjet shpalljes hyjnore, frymëzimit ose keshfit (mbulimit metakozmik të realitetit ekzistues). 2. Gyleni është personi, të cilit i janë dërguar këto informacione. 3. Gyleni është personi i përzgjedhur për këtë detyrë të lartë dhe të shenjtë, me qëllim që të marrë e të shpërndajë dijen dhe informacionin në fjalë
“Në foltoren e xhamisë gjendet Allahu, mes xhemaatit gjendet Muhamedi a.s”
Në fjalimin që mbajti në xhaminë Hisar, me datë 26.11.1989, Gyleni ka përdorur edhe shprehjet e mëposhtme, të cilat nuk mund të përputhen kurrë me besimin islam: “Që nga çasti kur besimtari e hedh hapin në faltore, në zemrën e tij zgjohet edhe dashuria, edhe frika ndaj atij që do të madhërohet. Ai kuvend është i tillë që, tashmë në foltoren e tij gjendet Allahu, që sheh, që dëgjon dhe që është i informuar për çdo gjë tonën. Dhe nëse është dikush që shëtit mes radhëve (safeve) të namazit, nëse atij i është lejuar nga lart, ai është personi që gjendet në çdo mbledhje të organizuar në lidhje me të dhe për ta nderuar atë, është sulltani i zemrave tona, sulltani i zemrave tuaja, zotëria i njerëzimit, Hz. Muhammed Mustafai. Nën një gjendje të tillë mendimi, ju ftoj të shmangeni nga veprime mospërfillëse, jua kujtoj juve në xhami, ju ftoj dhe ju bëj thirrje të përgëzoni situatat në të cilat gjendeni në xhami kundrejt një tabloje të tillë. Supozoj se zemrat tuaja e vlerësojnë këtë shumë më lart konceptimit dhe perceptimit tim. Prandaj edhe nëse hyn hoxha, kryetari i shtetit, madje edhe kryeministri në zemra, ne këtu kemi Allahun që sheh zemrat tona shtatëdhjetë herë në sekondë! Dhe këtu gjendet Hz. Muhammed Mustafai që e sheh Atë në sy, që vëzhgon bukurinë e tij. Sepse xhemaati është xhemaati i tij, sepse ai është sulltani, sepse është ai që e shtyp monedhën; që e vë vulën.” (Görüntülü Vaazlar 1-Hisar 1, Kutsilerin Takvası, min. 10:40-12:00).
Në këtë fjalim përfshihen tri shprehje problematike: 1. Në foltoren ku flet Gyleni gjendet Allahu. 2. Pejgamberi ynë e sheh Allahun në sy. 3. Pejgamberi a.s gjendet mes xhemaatit ndaj të cilit drejtohet Gyleni.
Pretendimi se Pejgamberi a.s gjendet mes xhematit, të cilit i drejtohet Gyleni, nuk është tjetër veçse një delir i privuar nga çdo lloj baze fetare dhe ndjesore, që ai e përdor për të lartësuar veten. Këtu mesazhet e devijuara të përcjella nga Gyleni për xhematin e tij fshihen pas një përdorimi me tonalitete të larta të metaforës dhe ambiguitetit retorik, mjete të cilat ai i përdor rëndom në diskursin e tij të devijuar në mënyrë që të indoktrinojë masat dhe të shfaqet si njeri mbi njerëzit, dimension që askush me përjashtim të pejgamberëve nuk mundet ta gëzojnë. Pra këto janë mesazhe shumë të fshehura të cilat Gyleni i artikulon më qartë kur gjendet në mesin e antarëve të zgjedhur të organizatës.
Vazhdon...