Historia e Davidit dhe Golias...
Nga cikli i vargjeve përkthyer mjeshtërisht nga Hafiz Ibrahim Dalliu në “Ajka e Kuptimeve të Kur’ani Kerimit”.
El Bekarah/ Vargu 246
” I dashuri im! A nuk e di ti për një pjesë nga paria e benij Israilëve pas Musait, kur i thanë pejgamberit të dërguar për ta: ” Na dërgo një mbret (cakto për ne një komandant dhe nën komandën e tij) të luftojmë në rrugën e Zotit! Pejgamberi u tha atyre: ” Druaj se lufta bëhet farz për ju dhe nuk do të luftoni” Dhe ata i thanë: ” Ç’kemi ne që të mos luftojmë në rrugën e Zotit? A nuk u nxorëm prej shtëpive tona dhe prej fëmijëve tanë? Por kur për ta u bë farz lufta, ata ia kthyen shpinën dhe vetëm një pakicë prej tyre e mbajtën fjalën! Zoti i njeh mirë keqbërësit”. Fahri Raziu dhe Hazini shpjegojnë se, pasi i madhi Musa ndërroi jetë, Zoti u dërgoi benij Israilëve shumë pejgamberë, të cilët ishin të urdhëruar të ftonin njerëzit që të vepronin sipas dispozitave të Teuratit dhe t’u mësonin atyre ato gjëra që i harronin. Por , pasi kaluan disa vjet, beni Israilët filluan t’i ndryshonin dispozitat e Teuratit dhe të vepronin sipas dëshirave të veta. Ndër ta u shtuan kryengritjet e u prish morali aq shumë, sa që ata filluan të mos i dëgjonin më këshillat e pejngamberëve. Atëherë , Zoti u hodhi mbi shpinë kombin e Amalikasve që banonin ndërmjet Egjiptit dhe Damaskut. Amelikasit i mundën beni Israilët dhe i nxorën prej atdheut, i skllavëruan fëmijët dhe i shpartalluan. Beni Israilët mbetën në një mal si bagëtitë që u ka rënë ujku. Në atë kohë ata kishin pejgamber Shemuiun a.s, i cili ndreqte punët e tyre fetare. Paria e kombit u mblodhën dhe biseduan që të përgatiteshin për t’i qëndruar armikut dhe për të ruajtur vetëqënien e vet. Ata e dinin se u duhej një drejtim e një mbret. Prandaj, iu lutën pejgamberit që kishin Shemuiut, që të caktonte për ta një mbret.
El Bekare/ Vargu 247
《Edhe pejgamberi i tyre u tha se Zoti ka dërguar Talutin si mbret për ju! Ata i thanë” Qysh mund të bëhet ai mbret për ne, kur ne jemi më të meritueshëm se ai për të mbretëruar ?Atij nuk i është dhënë as ndonjë pasuri”. Pejgamberi u tha “Atë e ka zgjedhur Zoti mbret për ju dhe i ka dhënë shumë dituri e trup të fuqishëm. Allahu ia jep mbretërimin kujt të dëshirojë. Dhe Zoti është shumë dhënës dhe shumë i ditur.》Taluti ishte nga nipat e Benjaminit, por nuk ishte i pasur. Deri në atë kohë mbretërit e beni Israilëve zgjidheshin nga nipat e Jehudës dhe profetët i kishte dërguar Zoti nga nipat e Levit. Taluti nuk ishte i pasur dhe as prej ndonjë dere mbretërore. Prandaj paria e beni Israilëve e kundërshtuan pejgamberin dhe i thanë: ” Qysh mund të mbretërojë Taluti mbi ne, kur ne jemi më të meritueshëm se ai….” Mirëpo pejgamberi i tyre ua hodhi poshtë metimin me katër pika kryesore.I. Për të tilla gradime duhet mbështetur në zgjedhjen e Zotit. Meqë Zoti e ka parë të udhës t’ja japë Talutit këtë shkallë të lartë, hiqni dorë nga mëtimi juaj dhe pranoni sundimin e tij.II. Për të qeverisur popullin kërkohen dy cilësi: dituri dhe forcë trupore e trimëri zemre. Meqenëse këto dy cilësi gjenden më shumë te Taluti, ai është më i meritueshëm për mbret.III. Pronësia është e Zotit, Ai kujt të dëshirojë i jep.Prandaj askush nuk ka të drejtë të kundërshtojë.IV. Zoti është dhurues i madh dhe ka dijeni të plota; Ai edhe të varfrin e bën të pasur, pra kushdo mund ta meritojë dhe të bëhet mbret; Ai njeh më shumë se kushdo tjetër; Ai i’a jep mbretërimin kujt të dëshirojë dhe kur Ai nuk e shikon të udhës, nuk ia lë mbretërimin trashëgim nipave e stërnipave.
Përgatiti: Esmere KOLA