Lidhje


Cilësitë e qenësishme të Allahut (sifati thubutije) dhe matematika si strukturë ekzakte e universit

Nga Alban Gorishti

 

"A është Zoti një Matematicien i jashtzakonshëm?"/Duke lexuar një ajet në Kuran më erdhi në kujtesë diskutimi që disa shkencëtarë zhvillojnë rreth Zotit, të cilët pasi shikojnë një projektim perfekt në Univers të zhvilluar në formën e aksiomave apo kalkulimeve gjeometriko-fizike të cilat më pas njeriu i ka shprehur në ekuacione matematikore. Në shekullin e 17 Issac Newton bëri pyetjen e thjeshtë nëse bie një mollë, a bie edhe hëna? Kjo ishte ndoshta një nga pyetjet më të mëdha të bëra ndonjëherë në perceptimin e forcave, rrezeve, dukurive, gjeometrikës, të gjitha manifestime që kanë lidhje me gjuhën matematikore, fizike. Matematika në të vërtetë nxjerr rezultate nga aksiomat. Ajo punon brenda një sistemi të mbyllur.

 

Ndoshta dikush mund ta përshkruaj situatën duke thënë se Zoti është një matematikan i një niveli shumë të lartë dhe Ai përdori matematikë shumë të avancuar në ndërtimin e universit. Përpjekjet tona të dobëta në matematikë na mundësojnë të kuptojmë pak nga universi, dhe ndërsa vazhdojmë të zhvillojmë matematikë gjithnjë e më shumë, mund të shpresojmë ta kuptojmë universin më mirë.Duket se është një nga tiparet themelore të natyrës ku ligjet themelore fizike të përshkruhen në termat e një teorie matematikore të bukurisë dhe fuqisë së madhe, që kërkon një standard mjaft të lartë matematike për ta kuptuar atë.


Gjithsesi, ajetet që po lexoja ishin ato të sures Nisa 11-12, 176, pra ajete që kanë të bëjnë me ndarjen e trashgimisë duke e shprehur atë në formën e thyesave , pra në gjuhë matematikore. Ndaj kjo më bëri të mendoj, nga njëra anë për dinamikat e lëmisë së Matematikës dhe artikulimit të saj nga njerëzit, dhe Zotit apo posedimit të qenësishëm të kësaj lëmie prej Tij, nga ana tjetër.Këtu mu kujtua fjala e Galileo Galileit ku thotë se:"Matematika është gjuha me të cilën Zoti shkroi Universin". Ndërsa Platoni thoshte se : Zoti gjeometrizon çdo gjë.


Prej pyetjeve që disa parashtruan është po ashtu: A ka nevojë Zoti të krijojë matematikë?


Matematika si shkencë e shkruar është një krijim njerëzor. Është shumë racionale sipas dijes së sëndërtuar të fituar të njeriut, ndryshe nga dija e Zotit, e cila është e qënësishme e pandarë nga qenia hyjnore. Allahu thotë: "Ne kur dëshirojmë një send vetëm i themi atij: "Bëhu!", ai menjëherë bëhet". Nahl 40
Argumenti teologjik i cili pohon ekzistencën e Zotit është se përderisa universi shpalos një projektim dhe krijim kaq të përsosur, sipas ligjësive (qofshin ato matematike apo fizike) të cilat njeriu i zbuloi shumë kohë më vonë krijimit fillestar, atëherë medoemos duhet të ketë pasur një Krijues, Projektues Hyjnor. Për shembull, sikur toka të ishte vetëm disa qindra milje afër ose larg diellit, nuk do të ishte në gjendje të kishte një jetë të këtillë. Nëse elementet në atmosferën tonë do të ishin vetëm pak përqindje ndryshe, çdo gjallesë në tokë do të vdiste. Pobabiliteti që një molekulë proteine të jetë formuar rastësisht është 1 në 10 (ku 10 është e ndjekur nga 243 zero). Një qelizë e vetme përbëhet nga mijëra molekula proteine. Këto janë të gjitha projektime matematikore/fizike precize të cilat mahnisin shkencëtarët dhe të apasionuarit mbas shkencës si dije e cila zbulon realitete, por po ashtu këto projektime të bëjnë të çuditesh për lidhjen midis shkencës dhe projektimit, realizimit dhe formulimit të aksiomave fizike, biologjike, matematikore, tek qenia e përsosur hyjnore.


Krauss (shkencëtar bashkohor ateist) kur flet për mekanikën kuantike* thotë se "asgjëja" nuk ka veti fizike, sepse ai supozon funksionimin e përjetshëm të mekanikës kuantike. Megjithatë, teologët thonë se një vakum kuantik nuk është ‘asgjë’; "asgjë" është mungesa e potencialit për ekzistencë. Por asgjë (në sensin e dijeve) është edhe gjumi, por gjumi nuk krijon dot realitete por "zbulon" realitetet "kunatike" të cilat i përjeton në një botë shkencërisht perfekte. Meqenëse Zoti ekziston në mënyrë të pavarur dhe të ndarë nga universi, atëherë Ai është "diçkaja" fillestare nga e cila erdhi gjithçka tjetër. Është vetë-kontradiktore të thuash diçka (universi = gjithçka në natyrë) mund të krijojë vetveten, sepse nëse universi do të ishte në gjendje të krijonte vetveten, do të duhej që mekanika kuantike do të ekzistonte vetvetiu ndaj nuk do të kishte nevojë të krijonte "gjithçkanë", sepse në thelb krijimi kërkon vullnet dije dhe dëshirë për të bërë atë që është planifikuar,ndërsa rregullësitë janë aksioma pa vullnet, dëshirë apo planifikimin, pra mekanika kuantike nuk ka atribute të qenësishme.


Atributet e qenësishme të Allahut.


Këto atribute që ndryshe quhen edhe tipare pozitive ndërsa , në mënyrë të kufizuar, ndodhen edhe te krijesat, pra ndodhen edhe tek njeriu. Megjithatë, ato nuk mund të krahasohen me të njëjtat atribute të Zotit, sepse atributet e Zotit janë të pakufizuara, kurse të njeriut janë të kufizuara.


Gjithsesi nga ana tjetër, fusha e veprimtarisë së vullnetit të njeriut por edhe spektri i dijeve të tij është në fund të fundit i kufizuar. Për shembull, deri më tani vullneti i tij nuk ka mundur të ndikojë në sistemin rrotullues të trupave qiellorë, por po ashtu as në funksionimin matematikor të fenomeneve natyrorë rreth e rotull tij. Prandaj ndodh shpesh që njeriu të ketë ndërmend të bëjë një gjë, por nuk ia del , sado kalkulime matematikore të zhvillojë apo planifikime mekanike të projektojë. Ndërsa ndryshe janë atributet e Zotit, ato janë të pakufizuara dhe pjesë e aksiomës Kuranore "..vërtet Zoti yt vepron çkado dëshiron" Hud 107 apo ajete si "me të vërtetë Zoti është i plotfusishëm për gjithçka" etj, janë në thelb "përjashtimi që kundërshton rregullin". Kjo pasi nëse për një shkencëtar gjithçka funksion brenda orbitave, ekuacioneve funksioneve matamatiko -fizike, tek krijuesi nga asgjëja i tërë ligjësive (pa shembull të mëparshëm) dhe gjithësisë asgjë nuk është e kufizueshme me formula matematikore apo ligje termodinamike. Asgjë nuk është si Ai, Allahu di gjithçka për çdo gjë. Asgjë nuk i shpëton shkencës së Tij.


Ky univers dhe përmbajtja e tij - midis asaj që mund të shohim dhe asaj që nuk mund të shohim - është një mundësi intelektuale. Siç janë edhe ekuacionet matematikore, ndërsa krijimi i vetvetishëm i Universit është një pamundësi intelektuale. Kjo i referohet asaj që mendja nuk e koncepton ekzistencën e saj, ndërsa mundësia intelektuale i referohet asaj që mendja e koncepton ekzistencën e saj në një kohë dhe mosekzistencën e saj në një kohë tjetër. Por besimi në ekzistencën e një krijuesi të vetëm, është domosdoshmëri intelektuale. Allahu është Ai, Ekzistenca e të Cilit është e nevojshme, sepse mendja nuk e pranon mosekzistencën e Tij, aq më tepër kur përballet me perfeksion dhe shkencë në vet rrënjët funksionale të universit të njohur.


Por pyetja e ngritur vazhdon të habisë "pyetësit" e saj. Pasi duket se janë njerëzit njerëzit ata që shpikën numra, algjebër dhe llogaritje për të përshkruar universin. Por nga ana tjetër universi ishte tashmë aty që para këtyre zbulimeve matematikore.Ndërsa matematika është vetëm një mënyrë për të përshkruar atë që është atje jashtë/lart. Por në thelb duhet kuptuar se matematika shërben si një urë lidhëse midis të kuptuarit të realitetit material dhe konceptimit metafizik. Ose ligjësitë midis fizikes dhe imagjinares apo abstraktes.


Apo ndoshta njerëzit krijuan/shprehën shkencën duke formuluar rregulla precize për të kuptuar se si Zoti e krijoi Universin.


Por dikush do të thoshte se: Numrat janë dhurata e Zotit për njerëzimin, në mënyrë që ne të fillojmë të kuptojmë botën e Krijimit - të kuptojmë botën shkencërisht, ato nuk janë kurrë një mënyrë për të kontrolluar apo përcaktuar qënien e Zotit. Mjafton të themi se 0-ja është një koncept i shkruajtur shumë më vonë, ndërsa numërimi filloj gjithnjë nga 1-shi. Kur arabët filluan të adoptonin numrat hindu-arabë, ata gjithashtu adoptonin zeron. Arabët i dhanë emrin sifr.Disa të tjerë thonë se Zeroja dhe pafundësia janë dy anë të së njëjtës monedhë - të barabarta dhe të kundërta.Pjestimi me zero shkatërron vetë strukturën e matematikës.


Charles Seife pati thënë se:“Zeroja ishte në qendër të betejës midis Lindjes dhe Perëndimit. Zeroja ishte në qendër të luftës midis fesë dhe shkencës. Zeroja u bë gjuha e natyrës dhe mjeti më i rëndësishëm në matematikë. Dhe problemet më të thella në fizikë - bërthama e errët e një vrime të zezë dhe ndezja e shkëlqyer e shpërthimit të madh (Big beng- i cili ishte origjina e Universit) - janë përpjekje për të mposhtur zeron".

 

*Mekanika kuantike e cila njihet po ashtu si fizika kuantike është një teori fizike, që përshkruan sjelljen e lëndës në rrafshin atomik e nënatomik. Pasojat e mekanikës kuantike zakonisht nuk janë të vëzhgueshme në shkallën makroskopike, por në atë mikroskopike.

 

Vrejtje: Ky artikull nuk është përpjekje për të vënë në dyshim diçka por për të hedhur dritë mbi madhështinë e atributeve hyjnore, madhështinë e vet Zotit

 

 

 

XS
SM
MD
LG