Dekadenca morale e kohës para stuhisë që rafshoi popullin e Nuhut dhe “përmbytjet” e xhamive të Vlorës. Si e kam parë Vorën para vërshimeve të fundit!
Nga Alban Gorishti
Asnjëherë nuk më ka pëlqyer që problemet ti trajtoj duke u fokusuar tek njerëzit apo duke u marrë me të metat e tyre, por besoj se janë mardhëniet afektive ato që formësojnë paradigmat sociale tek të cilat duhet realisht të fokusohemi për të ndërtuar një strategji efikase e cila do të na ndihmojë të zgjerojmë pozitiven brenda nesh. Besoj se aftësia për të dalluar të drejtën nga e gabuara duhet të jetë një aftësi thelbësore në jetën e një muslimani në mungesë të së cilës përmbysen peshoret e gjykimit dhe errësohen shpirtërat. Secili person ka një aspekt të vetvetes, të quajtur nefs emaretu bi-su’, që i nxit ata të kryejnë vepra të liga i cili shfrytëzohet nga djalli dhe energjitë negative shpirtërore tek njerëzimi në betejën kundër besimit në Zot dhe forcave të së mirës. Gjithmonë do të ketë forca brenda nesh që do të përpiqen të turbullojnë ujërat midis asaj që është e drejtë dhe e gabuar, në vend që t'i identifikojnë ato si të ndara.
Nëse romanet apo novelat na lejojnë të luajmë me “limitet morale” kjo nuk duhet të ndodhi me realitetin, për dy arsye thelbësore, e para ka të bëjë me vet natyrën shpirtërore të kredos religjoze. Duke qenë se jemi një popull që beson në konceptin e krijimit “ex nihilo” (pra krijimi unik nga hiçi), pra gjithëçka në këtë sens është e lidhur me metafiziken para se të raportohet në botën e dukshme me fiziken. Teksa e dyta ka të bëjë me rrezikun që arkitektët e empatisë sociale të jenë vet ata që e shkelin moralen me apatiken e shpirtrave të tyre ose të jenë rrymat e kolektives së shtirur ato që vrasin moralin dhe dëmtojnë ndjenjat njerëzore.
Kjo ese e shkurtër është një vështrim analitik i kronologjisë së eventeve duke dashur ti iki çdo identifikimi me ndonjë individ apo grup por duke zhvilluar një analizë të rrethanave dhe zhvillimeve, kjo nën dritën e vet rekomandimeve Kuranore, Allahu për këtë thotë: “Ne sqaruam në mënyra të ndryshme (argumentet) në këtë Kur'an, ashtu që ata të nxjerrin përvojë, por kjo nuk u shtoi atyre tjetër, vetëm se largim (nga e vërteta)” Isra 41
Para disa kohësh një stuhi e madhe preku pothuaj tërë Shqipërinë, teksa qyteti më i prekur përgjatë kësaj stuhie ishte pikërisht qyteti i Vlorës. Stuhi që shkaktoi përmbytje dhe dëme të mëdha, ishte hera e parë që e shihja xhaminë qëndrore të qytetit të përmbytur deri në atë nivel, teksa uji shkaktoi dëme të cilat e bënë atë të pa frekuentueshme. Kështu duke rikujtuar epistemologjinë religjoze më erdhën ndërmend shumë situata dhe përjetime të cilat shpesh herë janë ndeshur me kolektiven e tjetërsuar nga individualja e shtrembër. Të nesërmen e eventit më ra rasti ti afrohem xhamisë dhe të shoh pasojat e kësaj kataklizme, jo për kërshëri të rëndomtë por obligohemi që të paktën moralisht të bëjmë disa bilance dhe analiza që i tejkalojnë ato të thjeshtat klimaterike apo urbanistike.
Duhet të dijmë se e brendëshmja (emotivja) formësohet nga shumë ndodhi dhe përballje qofshin ato verbale apo fizike. Ndaj edhe në një hadith thuhet se : "Prej shenjave të ditës së Kiametit është edhe ajo se njerëzit do të bëhen të pasjellshëm dhe të paedukuar (apo fjalëpistë dhe të rëndomtë)". Po ashtu në një hadith tjetër thuhet se :" Afër ditës së fundit të pabesëve do t'i besohet teksa besnikët do të përgënjeshtrohen", pra kjo do të thotë se mënyra se si njerëzit do ti shikojnë gjërat do të jetë e kundërta e asaj që duhet të jetë. Kjo për shkak se pas çdo ndodhie apo fjale lindin emocione të caktuara të cilat janë baza për formimin e personalitetit dhe të menduarit të individit dhe sigurisht e tërë kjo që do të ndikojë në sjelljen e tij, më pas ky individ ndërvepron me të tjerët nëpërmjet këtyre ndjeshmërive (energjive) pastaj këto përballje ndikojnë në sjelljet individuale e së bashku me veprimet e individëve të tjerë që formojnë bërthamën e shoqërisë , kështu një qasje e caktuar do të dominojë në mënyrë të pashmangshme në mbarë shoqërinë.
Por stuhitë kanë shenja paralajmëruese, kur parametrat klimaterikë fillojnë të ndyshojnë ata që janë të ndjeshëm emocionalisht fillojnë ti ndjejnë këto ndryshime në trupin e tyre, teksa pyetje si , përse ndjej shtrëngim në gjoks?-bëhen gjithnjë e më të shpeshta. Por asnjë stuhi klimaterike nuk vjen papritur atë e paraprinë stuhitë morale apo pse jo për disa ambjente, këto stuhi morale në histori janë njohur edhe si vrasje kolektive të moralit.Teksa ata që mundet ti konsiderojmë si “të vrarë moralisht” nuk e ngrejnë më pyetjen e mësipërme , kjo pasi i vrari nuk zotëron më ndjenja, nuk ndjen më dhembje, duke qenë se këto shpirtëra iu nënshtruan më gjatë seç duhet vetive negative të cilat janë shkruar për birin e Ademit në këtë botë. Ebu Zejd el-Belkhi në “Ushqimi i shpirtit” thotë se: “Nga vetë natyra e tij, nuk është e mundur që njeriu ta mbajë shpirtin e tij në qetësi dhe paqe të përhershme pa iu nënshtruar zemërimit, frikës, shqetësimit dhe simptomave të ngjashme psikologjike. Kjo botë (dunia) është vendbanimi i ankthit, trishtimit, shqetësimit dhe fatkeqësisë”. Teksa ndodh ky presion ndryshon personaliteti i individit, e më pas sjellja e tij, e kështu edhe shoqëritë. Kjo për arsye se kur ne e ulim vigjilencën ose biem përsëri në neglizhencë, apati, kjo krijon një çarje në sistemet tona të mbrojtjes ndaj edhe djallit i mundësohet ta shfrytëzojë nëpërmjet shpirtrave tashmë të prekur nga pabesia karakteriale dhe distancimi nga “burimi i dritës”. Edhe vrimat e vogla në kështjellën tonë mendore mund të çahen lehtësisht duke lejuar ushtarët e armikut të sulmojnë kështjellat e zemrave tona.
Ajo që kam vëzhguar përgjatë kohëve të jetuara në qytetin tim është pikërisht ky ndryshim, ky asgjesim i shpirtërores, morales individuale në dëm të asaj kolektive. E nga përballja me këtë stuhi nuk shpëton dot as elementi religjoz, kjo sepse djalli fitoi akses në intelektin tonë, duke përdorur kështu anën e errët të vetvetes. Morali dhe besimi islam janë të pandashëm. Këtë e dimë edhe nga tregimet Kuranore, aty ku prishet morali prishet dhe besimi dhe aty ku përshpejtohet rënia e të dyve përshpejtohet edhe ndëshkimi. Historia e popullit të Nuhut është një paralele kuptimplotë e tërë përshkallëzimit historik të gjithçkaje që përngjason me agresivitetin e përditshëm të mendjemadhësisë dhe arogancës së refuzimit. Fillimisht refuzim i të metave dhe arogancës në lartësimin e Unit, vetvetes e cila është në buzët e greminës, ose do ta shpëtojë pozitiven ose do ta thellojë negativen. Nuk mundet asesi një sëmundje të zerë vend në trup pa u shtrirë para saj simptoma të caktuara parlajmëruese, ai që është i kthjellët, përmendet dhe shkon e kërkon kurimin paraprak, në të kundërt apatizmi i tejkalon simptomat teksa në momentin kur sëmundja me gjithë pasojat e saj të rënda shfaqet në trup besimi fillon të tkurret bashkë me optimizmin dhe syçelësinë që karakterizon besimtarin.
Transformimi autentik shpirtëror, ai i cili kërkohet edhe nga Kurani, përfshin përballjen me anën e errët të Vetes, të njohur si nefs emarah bi-su. Por përgjatë këtyre viteve të mbijetuara në vendin e origjinës, shumë pak prej njerëzve i kam parë të ndërmarrin këtë të përpjetë. Madje shumë të tjerë ose i janë dorëzuar kësaj ane të errët që dominon “klimën shpirtëtore” brenda qendrave të banuara ose janë bërë palë me apatiken shpirtëtore ose janë larguar nga qyteti pa u përpjekur aspak të bashkohen rreth qendrave kurative të besimit qofshin këto edhe diç ekstrakarakteriale për ta. Bashkimi i tillë edhe pse plot gjemba përbën të vetmin burim shpëtimi për moralen dhe shpirtëtoren e kolektives aq të nevojshme për shëndetin mendor dhe doktrinor të individit. Kjo është edhe pse Allahu e quan Kuranin -shpirt-” Po kështu me urdhrin tonë Ne të shpallëm edhe ty shpirtin (Kur'anin)”(Shura 52). Pra, të shpallëm ty frymëzim dhe mëshirë dhe jo apati mendore apo ndëshkim trupor. Ajo që shpeshi ka paraprirë çfardolloj ndryshimi ka qenë e karakterizuar nga orientim i privuar nga kjo përshpirtshmëri, i cilësuar nga interesat utilitare të dikujt apo paaftësia intelektuale e dikujt tjetër.
Ajo që kam parë këto vite tek gjallëria shpirtërore brenda dhe jashtë këtyre institucioneve fetare, lëkundet ndërmjet mungesës së koherencës me vetveten, miopisë karakteriale të shkaktuar nga egocentrizma pa filtra dhe interesave okulte të një pjese të caktuar të komunitetit të vogël. Interesa, që në këndvështrimin tim, afruan përgjatë shumë eventeve “fatkeqe” dallgët të cilat e mbytën xhaminë tonë por kurrsesi para se të mbysnin para kësaj dellin e së mirës brenda shpirtrave tashmë të tredhur nga neglizhencat e pabesisë së një komuniteti që armikun më të egër e vështruan gjithmonë me syzet e dhunuesit të tyre shpirtëror e kurrësesi me sytë e dashamirësisë dhe përgjegjsisë shpirtërore e cila shpejton drejt maksimës Kuranore “Ka shpëtuar ai njeri/shoqëri që e pastroi veten nga metastazat e së keqes shpirtëore”. Kjo sepse ndershmëria dhe kuptimi i drejtë janë obligim në islam, këto dy janë virtyte që bëjnë pjesë në amanetin të ciin njeriu e pranoi nga Zoti. Amanet me të cilin mbahet drejtësia e qiejve dhe e tokës. Pikërisht amanet ky, të cilin në Vlorë e kam parë shpesh të shkërmoqet në vorbullën e interpretimeve të gabuara ose dashakeqe të ndikuara nga aleancat më negative që mundet të prodhoj një komunitet që udhëhiqet nga irracionalja shpirtërore . Ky sistem vesesh i referohet negativiteteve, si mëndjemadhësia, mashtrimi dhe mburja me grupacionin apo kastën sociale, preokupimi me mëkatin, varësia e verbër dhe sëmundje të tjera që e bën një mjedis të ndyrë, aroma e të cilit pothuajse të sëmur hundën. Këtë sistem vesesh Zoti e “pastroi” me vërshimin e kohës së Nuhut, ndaj çdo vërshim i ngjashëm për nga dëmi por jo për nga sasia, ka një paralel të përbashkët me atë sistem antik padrejtësie dhe apatie shpirtëore. “Nëse dikush të rrëfen një lajm dhe pastaj ikën, ai është amanet (që duhet ruajtur)”-thoshte Muhamedi a.s. Sa shumë është përdhosur ky amanet, kjo ndjeshmëri, ky sekret që lidh midis njerëzve që dinë ta mbajnë premtimin që i dhanë Allahut.
Allahu na tregon një karakteristikë të arsyes së ndëshkimit të tyre, ku thotë “Ata ishin njerëz të verbër". Pra “kaumun Amin”, të verbër në zemër, të paaftë për të parë. Edhe pse ata (njerëzit e kohës së Nuhut) u bën një popull jobesimtar, renegat ndaj këshillave dashamirëse dhe konstruktive, emëruesi i përbashkët këtu (me fenomenin që po shqyrtojmë) nuk është krahasim i njejtë në çdo detaj por retrospektivë në kohë-hapësirë. Ndaj e kam vendosur këtë krahasim në mënyrë metaforike për të përshkruar humbjen e mendimit të dobishëm, e veprës unifikuese dhe e afrimitetit me çdo lloj të mire.E mbi të gjitha qëndimit dhe famijaritetit më të madh me maskarenjtë sesa me empatiken apo ithtarët e saj. Pra, ata nuk i vështruan me sytë e zemrës pasojat e zakoneve të tyre devijuese , harruan se Zoti nuk i ka vendosur ligjet morale/etike thjesht si prallë e së kaluarës por ndikuese në ligjet e natyrës, orientuese të gjallërisë apo dekadencës së raporteve socio-ekonomike. Ndaj edhe Ai thotë në Kuran se:” “E keqja është shfaqur në tokë e në det, për shkak të asaj që vepruan vet njerëzit…”
Po ashtu prej cilësive të shoqërive para stuhive të tilla është edhe, padrejtësia, injorimi i së mirës dhe atyre që e përfaqësojnë atë duke u lidhur me antipodin e së mirës, pra sipas kësaj kronologjie padrejtësi quhet vendosja e diçkaje në një vend tjetër nga vendi i duhur, qoftë duke e pakësuar ose shtuar, qoftë duke i shmangur kohën ose vendin e saj. Ragib Asfahani përmend se padrejtësia është një term i përgjithshëm që përfshin - përveç sa më sipër - shumë kuptime si mosmirënjohje, dëmtim të vetvetes, nxitim, gënjeshtër, tradhti, përgojim, thashetheme dhe gjëra të tjera të pamoralshme. Të gjitha këto e ekspozojnë një shoqëri, sado njerëz apo vepra të mira të ketë në mesin e saj, prballë sëmundjeve mendore dhe shpirtëtore. E kthejnë mbajtësin e amaneteve (besimit, ndershmërisë) në shkatërrues të lidhjeve midis njerëzve por edhe ato midis tyre dhe Zotit. Kështu skenarin e kohës së Nuhut shpesh e kam parë edhe në skenaret afetare të qytetit tim. Ajo që ndodhi në popullin e Nuhut (sipas tefsirologve) ishte se njerëzit e pandershëm dhe mendërisht të paqendrueshëm kishin përparësinë, dhe kjo mbart një tregues të qartë të maksimizimit të veprave negative.
Duket se tilla është një shoqëri e sëmurë, e kontrolluar nga një favorizim i atyre që posedojnë influencë ekonomike të mbrapshtë, e rrethuar nga njerëz mendjet e të cilëve janë paaftësuar nga perceptimi i marrëzisë dhe paburrërisë. Natyrshmëria e këtyre njerëzve ka rikthyer fetarizmin në një praktikë të çuditshme dhe jo në një forcë përmirësuese, ndjenjat e tyre kanë ngrirë dhe sistemet e tyre të pranimit dhe transmetimit janë errësuar, kështu që ata nuk e dinë se çfarë do të thotë të familjarizohesh tërësisht me empatinë fetare dhe e ngatërrojnë atë që është e saktë nga ajo që është e gabuar.
Racionalizimi i së keqes është shenjë e dështimit të së mirës. Ajo që shpesh ka ndodhur në këtë shoqëri të dominuar nga mllefi dhe pabesia e disave ka të bëjë edhe me shtimin në hollet e faljeve edhe të njerëzve të ulët dhe të parëndësishëm në sytë e Zotit, në hadith thuhet se “Prej shenjave të ditës së fundit është shkatërrimi i fisnikëve (الوعول) dhe shumfishimi i të pabesëve pakarakter (التحوت)”. Uni njerëzor ka një tendencë për të mjegulluar kufijtë midis virtytit dhe vesit, për të racionalizuar dhe justifikuar gjendjet shpirtërore të cilat në të vërtetë janë të meta serioze të karakterit. Siç tha Allahu për sahabët: “Ju jeni populli më i mirë për njerëzit. Ju urdhëroni për të mirë dhe ndaloni nga e keqja dhe besoni njëmend në Allah”. Ajo që i bëri ata brezin më të mirë është se ata ishin të fokusuar në maksimizimin e së mirës dhe minimizimin e të keqes dhe frymëzimin e të tjerëve për të besuar në Allahun. Ata nuk tradhëtuan, nuk heshtën përballë padrejtësive apo të metave qofshin ato edhe në mesin e tyre.
Dhuratat e vërteta të kësaj drite hyjnore të cilën e reklamojmë, arrihen përmes vëmendjes, studimit dhe pastërtisë së zemrës, kjo është shpresa jonë më e mirë për shpëtim në këtë jetë dhe në jetën e ardhshme. Është e vetmja dritë me anë të së cilës ne mund të dallojmë gjendjet tona të qenies ashtu siç janë në të vërtetë, për të na dhënë një mundësi që të triumfojmë mbi nefsin emmareh bi-su’ dhe djajtë që e shfrytëzojnë atë. Ndaj mos i ushqeni stuhitë (morale) e së kaluarës (qoftë ajo edhe antike) duke ushqyer djajtë e hapësirave urbane.