Lidhje


A janë njerëzit të vetëdijshëm për lidhjen midis alkoolit dhe llojeve të ndryshme të kancerit?/ Kanceri i gjirit një prej tyre

Kanceri mbetet shkaku kryesor i vdekjeve në SHBA, i dyti vetëm pas sëmundjeve të zemrës. Për vitin 2020 Shoqata Amerikane e Kancerit vlerësonte se do të kishte mbi 1.8 milionë raste të reja të kancerit dhe mbi 600,000 vdekje nga kanceri, kjo përfaqëson një rritje nga 1.6 milionë raste të reja dhe 599,000 vdekje në 2017. Incidenca e kancerit ndryshon në varësi të karakteristikave sociodemografike dhe llojit të kancerit. Për shembull, gratë janë në rrezik më të madh për kancer gjiri sesa burrat, ndërsa burrat janë më të rrezikuar nga kanceri kolorektal. Prekja dhe vdekshmëria nga kanceri janë gjithashtu në mënyrë disproporcionale më të larta për grupet e pakicave racore/etnike dhe njerëzit me të ardhura më të ulëta, kjo sipas websitit zyrtar të mjeksisë në SHBA.

 

Konsumimi i alkoolit është i lidhur me disa lloje të kancerit. Rreth 19,500 e vdekjeve nga kanceri në SHBA (3.5%) në vitin 2009 i atribuohen konsumimit të alkoolit. Që nga qershori 2020, Shoqata Amerikane e Kancerit (ACS) rekomandon të mos pini alkool për të ulur rrezikun e kancerit. ACS specifikon shtatë lloje të kancerit që lidhen me konsumimin e alkoolit duke përfshirë kancerin e gojës, fytit, laringut, ezofagut, mëlçisë, kolorektalit dhe gjirit .

 

Shumë studime epidemiologjike kanë gjetur një lidhje midis përdorimit të alkoolit dhe këtyre llojeve të ndryshme të kancerit. Për shembull, një meta-analizë e 112 studimeve që shqyrtonin konsumimin e alkoolit dhe rrezikun e kancerit të mëlçisë zbuloi se konsumatorët e alkoolit kishin një rrezik 17% më të madh të kancerit të mëlçisë në krahasim me njerëzit që nuk pinin kurrë ose pinin rrallë. Duke përdorur të dhënat nga Studimi i Shëndetit paramjekësor, studiuesit zbuluan se tre deri në gjashtë pije alkoolike në javë shoqëroheshin me një rritje prej 15% të rrezikut të kancerit të gjirit. Përveç kësaj, një studim i pacientëve me kancer të gjirit në fazën e hershme zbuloi se konsumimi i tre ose më shumë pijeve alkoolike rrit rrezikun e përsëritjes së kancerit të gjirit në krahasim me ata që nuk pinë. Mund të ketë gjithashtu një lidhje sipas përqindjes së përdorimit midis alkoolit dhe kancerit.


Ndërgjegjësimi, për rreziqet që lidhen me përdorimin e alkoolit mund të jetë një faktor kyç në reduktimin e incidencës së kancerit të lidhur me alkoolin. Bazuar në Modelin Transteorik (ose modelin e Fazave të Ndryshimit), ndërgjegjësimi se si një sjellje është problematike ose prodhon pasoja negative shëndetësore është hapi i parë për dikë që të ndryshojë sjelljen e tij në një mënyrë pozitive për shëndetin .


Për shembull, një anketë e përsëritur ndërseksionale në Australi tregoi se njerëzit që nuk e perceptonin alkoolin si një faktor rreziku për kancerin kishin gjasa më të mëdha për ta tepruar me pijen (d.m.th., mesatarisht më shumë se dy pije në ditë ). Për më tepër, fushatat e masmedias të krijuara për të rritur ndërgjegjësimin për pasojat negative të pirjes, duke përfshirë kancerin si rrezikshmëri konstante, janë treguar efektive në reduktimin e pirjes së dëmshme. Në një studim të fundit nga Weerasinghe et al., etiketat paralajmëruese të kancerit të vendosura tek pijet alkoolike në një dyqan pijesh alkoolike në Kanada, rritën mbështetjen e politikave kundër alkoolit. Nga ana tjetër, një meta-analizë e studimeve eksperimentale rreth perceptimit të rrezikut dhe sjelljeve të rrezikshme zbuloi se vetëm rritja e vlerësimit të rrezikut nuk e ndryshonte në mënyrë të besueshme konsumin e alkoolit. Një fushatë mediatike për ndërgjegjësimin e pasojave të alkoolit dhe kancerin e kryer në Australinë Perëndimore pas një meta-analize tregoi një rritje të njohurive rreth rrezikut të shfaqjes së kancerit për shkak të konsumimit të alkoolit, por gjithsesi jo reduktime në pirjen e alkoolit .

 

Ndërgjegjësimi për rrezikun e kancerit nga alkooli mund të lidhet me përvojat dhe telashet ordinere të cilat pasojnë konsumimin e alkoolit. Duke përdorur të dhëna nga Anketa Kombëtare e Alkoolit 2010, Greenfield et al. zbuloi se të anketuarit që përjetuan më tepër problematika nga pirja e dorës së dytë (p.sh., të përfshirë në një aksident  me një shofer të dehur, u sulmuan ose iu vandalizua prona nga dikush që kishte pirë) kishin më shumë gjasa të mbështesnin politikat e alkoolit (p.sh. taksat e alkoolit , etiketat paralajmëruese të pijeve) . Ndërgjegjësimi për rrezikun gjithashtu mund të lidhet me prirjen për të kërkuar ekzaminimin dhe trajtimin e kancerit, si dhe marrjen e masave parandaluese. Në një përmbledhje të literaturës së perceptimit të rrezikut dhe sjelljeve të shqyrtimit të kancerit, Vernon zbuloi se gratë që kishin një vetëdije më të lartë për rrezikun e tyre për kancerin e gjirit kishin më shumë gjasa t'i nënshtroheshin ekzaminimit mamografik. Nëse njerëzit janë të vetëdijshëm për rreziqet e kancerit që lidhen me konsumimin e alkoolit, ata mund të kenë më shumë gjasa të reduktojnë konsumin e tyre në përputhje me rrethanat dhe të përfshihen në masat apo politikat për parandalimin e kancerit.

 

Një raport nga Cancer Care Ontario tregoi se dy të tretat e kanadezëve nuk ishin në dijeni të rrezikut të kancerit nga konsumimi i alkoolit .Ekspertët thonë se për gratë, kanceri i gjirit është kanceri primar i shkaktuar nga alkooli, duke përbërë 66% të të gjitha rasteve të kancerëve që i atribuohen alkoolit.

 

Hulumtimet tregojnë se edhe nivelet relativisht të ulëta të konsumit të alkoolit mund të kontribuojnë në rrezikun e zhvillimit të kancerit të gjirit. Më shumë se gjysma e të gjitha rasteve të kancerit të gjirit që i atribuohen alkoolit në Evropë nuk janë për shkak të pirjes së tepërt. 1  e 3 e rasteve të reja çdo vit janë për shkak të pirjes së barabartë me deri në 2 gota të vogla verë në ditë.

 

Madje ka rapotime të kundërta me atë që tregojnë studimet, pra se njerëzit besojnë se alkooli lufton kancerin. Ndërgjegjësimi për lidhjen e alkoolit dhe kancerit ishte më i lartë për pijet alkoolike (31.2%), e ndjekur nga birra (24.9%) dhe vera (20.3%). Më shumë të rritur në SHBA besonin se vera (10.3%) ul rrezikun e kancerit, krahasuar me birrën (2.2%) dhe pijet alkoolike (1.7%). Shumica e të rriturve në SHBA (>50%) raportuan se nuk e dinin se si këto pije ndikojnë në rrezikun e kancerit.

 

Përkthyer nga / ncbi.nlm.nih.gov/pmc/articles/PMC8051079/

XS
SM
MD
LG