Mesdheu: Vapa përvëluese po kthehet në normalitetin e ri
Mesdheu është i prekur drejtpërdrejt nga ndryshimet e klimës. Gjasat për valë të nxehti, si aktualisht në zonën e Mesdheut janë rritur si pasojë e ndryshimit të klimës, sipas një analize të organizatës joqeveritare amerikane, Climate Central. Probabiliteti për temperaturat mjaft të larta, si ato aktuale në Greqi, është rritur pesë herë, bëri të ditur Climate Central-.
14 ditë rresht mbi 40 gradë
Sipas organizatës, Greqia ka përjetuar këtë vit korrikun më të nxehtë që nga fillimi i regjistrimeve me 14 ditë radhazi temperatura që kanë kaluar 40 gradët. Edhe tani dyjavëshin e fundit të gushtit, ka pasur temperatura mesatarisht 3-6 gradë më të larta se më parë jo vetëm në Greqi, por edhe në Shqipëri, Itali dhe Francë. Kurse në Kroaci, Mal të Zi, Bosnje-Hercegovinë, Serbi, Austri dhe Hungari temperaturat e pritshme shënojnë 6-10 gradë më lart se mesatarja e mëparshme.
Ndryshimi i klimës rrit rrezikun e zjarreve
Sipas Climate Central me qendër në Princeton ndryshimi i klimës rrit rrezikun e zjarreve. "Ne e dimë, se kushtet e motit me rrezik të lartë për zjarre lidhen drejpërdrejt me ndryshimin e klimës", u shpreh Andrew Pershing, drejtues i projektit studimor. Kjo sepse ndryshimi i klimës çon në periudha të gjata thatësire dhe nxehtësie, gjë që rrit rrezikun për zjarre. "Ne duhet ta lemë qymyrin, naftën dhe gazin në tokë", theksoi Pershing, "ndryshe verat me zjarre dhe temperatura ekstreme në hapësirën e Mesdheiu do të jenë normalitet i ri. Jo vetëm në Greqi, por në të gjithë rajonin.
Turistët duhet të vlerësojnë rrezikun e temperaturave të larta
Këtë verë në Greqi 5 turistë humbën jetën për shkak të vapës përvëlues. Turistët shtegtarë nuk ishin të pajisur si duhet për temperaturat ekstreme. Ekspertët paralajmërojnë nga mos vlerësimi sa duhet i nxehtësisë. Ata thonë se temperaturat e larta kanë efekt të fortë në tru dhe mund të çojnë në disorientim dhe vendime të gabuara duke ndikuar edhe në vlerësim të gabuar të rreziqeve. Shumë njerëz për shkak të mungesës së njohurive, kanë tendencën të nënvlerësojnë këtë rrezik. Disa mendojnë, se disa masa të thjeshta i mbrojnë, ndërkohë që të tjerë gjatë pushimeve duan të shohin sa më shumë të jetë e mundur nga vendi që vizitojnë duke injoruar temperaturat e rrezikshme.