Lidhje


Lidhje e mundshme midis vaksinave dhe autizmit? SHBA gati të kryejë një studim të madh

Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA (CDC) po përgatiten të kryejnë një studim të madh për të shqyrtuar çdo lidhje të mundshme midis vaksinave dhe autizmit, raportojnë burime pranë Reuters.

 

Nuk dihet ende nëse Sekretari i Shëndetësisë, Robert F. Kennedy Jr., i njohur për qëndrimet e tij kundër vaksinave, është i përfshirë në këtë studim apo si do të realizohet ai. CDC dhe Departamenti i Shëndetësisë nuk kanë komentuar mbi këtë çështje.

 

Ky zhvillim ndodh në mes të një shpërthimi të madh të fruthit në SHBA, me mbi 200 raste dhe dy viktima në Teksas dhe New Mexico.

 

Kennedy, i cili ka autoritet mbi CDC, ka vënë në dyshim sigurinë e vaksinës së kombinuar për fruthin, shytat dhe rubeolën (MMR). Gjatë një mbledhjeje të kabinetit, ai minimizoi vdekjen e një fëmije nga fruthi në Teksas, duke e quajtur një rast të zakonshëm dhe pa theksuar rëndësinë e vaksinimit.

 

Më vonë, Kennedy botoi një opinion në Fox News ku mbështeste vaksinimin, por theksonte se zgjedhja i takon prindërve dhe u rekomandoi atyre të konsultohen me mjekët.

 

Normat e diagnostikimit të autizmit në SHBA janë rritur ndjeshëm që nga viti 2000, kryesisht për shkak të skriningut më të gjerë dhe përfshirjes së një spektri më të gjerë sjelljesh në kriteret diagnostikuese.

 

Deri më tani, shkencëtarët nuk kanë gjetur asnjë provë të besueshme që lidh autizmin me vaksinat apo përbërësit e tyre, si thimerosali apo formaldehidi.

 

Presidenti Donald Trump ka mbështetur Kennedy-n në këtë çështje, duke deklaruar: “Do ta zbulojmë të vërtetën, dhe nuk ka njeri më të përshtatshëm se Bobby dhe ekipi i tij për ta bërë këtë.”

 

Ndërkohë, emërimi i Dr. Dave Weldon si drejtor i CDC nga Trump pritet të kalojë në një seancë dëgjimore në Senat, ku disa senatorë kanë shprehur shqetësime për qëndrimet e tij mbi vaksinat.

 

Në një tjetër seancë, Dr. Jay Bhattacharya, i nominuari për të drejtuar Institutin Kombëtar të Shëndetit, u pyet mbi lidhjen mes vaksinave dhe autizmit. Ai u përgjigj: “Bazuar në literaturën shkencore, nuk besoj se ekziston një lidhje e tillë. Por kemi një rritje të shpejtë të rasteve të autizmit, dhe shkenca ende nuk e di shkakun e saktë.”/JOQ

XS
SM
MD
LG