Lidhje


Algoritmi i automatizuar mund të zbulojë rreziqet e zemrës dhe frakturave në skanimet rutinë të kockave

Studiuesit në Australi dhe Kanada kanë zhvilluar një algoritëm të të mësuarit automatik, i aftë për të identifikuar rreziqet kardiovaskulare dhe frakturat, duke përdorur skanime standarde të dendësisë së kockave.

 

Siç njofton Universiteti Edith Cowan (ECU) i Australisë, sistemi i automatizuar i krijuar në partneritet me Universitetin Manitoba analizon imazhet e vlerësimit të frakturave kurrizore (VFA) për të zbuluar kalcifikimin e aortës abdominale (AAC), një shënues kyç për sulmet në zemër, goditjet në tru dhe frakturat.

 

Ky zbulim i madh mund të mundësojë diagnozë më të hershme dhe më gjithëpërfshirëse gjatë shqyrtimeve rutinë të osteoporozës, nga i cili përfitojnë veçanërisht të moshuarit.

 

Ndryshe nga vlerësimet tradicionale të AAC-së, që zgjasin 5 deri në 6 minuta për imazh dhe kërkojnë një ekspert të trajnuar, mjeti i ri i drejtuar nga inteligjenca artificiale mund të skanojë mijëra imazhe në më pak se një minutë, duke e bërë atë shumë më efikase për shqyrtim në shkallë të gjerë.

 

Gjatë studimit, studiuesja e universitetit ECU, Dr. Cassandra Smith, zbuloi se 58 për qind e të moshuarve që i nënshtroheshin testeve të dendësisë së kockave kishin nivele mesatare deri në nivele të larta të AAC-së, me një në katër të pavetëdijshëm se ishin në rrezik të lartë për një rast kardiovaskular.

 

"Gratë njihen si të pa ekzaminuara dhe të pa trajtuara për sëmundje kardiovaskulare", tha Smith, duke shtuar se ky mjet u lejon mjekëve të shfrytëzojnë skanimet ekzistuese nga aparatet me rrezatim të ulët dhe të disponueshme gjerësisht për të identifikuar individët me rrezik të lartë që përndryshe do të kalonin pa u vënë re.

 

Duke përdorur të njëjtin algoritëm, studiuesi i lartë i universitetit ECU, Dr. Marc Sim, vërejti se pacientët me rezultate më të larta të AAC-së gjithashtu kishin më shumë gjasa të shtrohen në spital për shkak të frakturave.

 

"Sa më i lartë të jetë kalcifikimi në arteriet tuaja, aq më i lartë është rreziku i frakturave", shpjegoi Sim.

 

Ai gjithashtu theksoi se shëndeti vaskular shpesh anashkalohet në vlerësimet e rrezikut të frakturave dhe se ky algoritëm mund të ndryshojë ndjeshëm praktikën klinike./AA

XS
SM
MD
LG