Dhimbje të forta dhe rrezik frakturash: si përhapet kanceri i mëlçisë në kocka
Kur kanceri i mëlçisë përhapet në kocka, shfaqet dhimbje ekstreme, shpesh e përshkruar si dhimbje e padurueshme, që vështirë kontrollohet edhe me trajtim medikamentoz
Kur kanceri i mëlçisë përhapet në kocka, kjo do të thotë se karcinoma ka arritur stadiumin e katërt (IV) ose ka metastazuar dhe është përhapur në indet, organet dhe kockat përreth. Ky stad mund të shkaktojë dhimbje të forta në kocka, të rrisë rrezikun e frakturave dhe të çojë në ndërlikime të tjera si kompresioni i palcës kurrizore dhe hiperkalcemia, gjendje kur niveli i kalciumit në gjak rritet ndjeshëm.
Sipas Cleveland Clinic, hiperkalcemia është një nga komplikimet më të zakonshme të metastazave kockore dhe mund të shkaktojë simptoma si lodhje, të përziera, konfuzion dhe humbje oreksi.
Këto komplikime mund të rezultojnë me dhimbje të vazhdueshme, dobësi ose mpirje në gjymtyrë, vështirësi në urinim ose zbrazje të zorrëve, si dhe probleme sistemike si mungesë oreksi dhe konfuzion mendor.
Kanceri i mëlçisë në fazat e hershme shpesh kalon pa simptoma
Karcinoma metastatike e mëlçisë, veçanërisht te pacientët e moshuar, paraqet një sfidë të madhe për ekipet mjekësore dhe sistemin shëndetësor. Fatkeqësisht, te shumë pacientë, metastazat mund të zhvillohen pas një periudhe të gjatë latente, madje edhe pas disa vitesh, pa simptoma të dukshme klinike.
Kanceri i mëlçisë shpesh diagnostikohet në faza kur është tashmë i pashërueshëm. Ai shfaqet më shpesh te personat me hepatit kronik B ose C, me cirozë për shkak të alkoolit, si dhe te ata me diabet ose mbipeshë.
Sipas Mayo Clinic, hepatiti viral mbetet faktori më i fortë i rrezikut për kancerin e mëlçisë, ndërsa obeziteti dhe diabeti mund të përshpejtojnë zhvillimin e karcinomës hepatocelulare,.A mund të përhapet kanceri i mëlçisë në kocka dhe organe të tjera?
Sot ekzistojnë shumë trajtime efektive që ndihmojnë në kontrollin e përhapjes së kancerit të mëlçisë, duke i mundësuar pacientëve të jetojnë më gjatë. Ironikisht, kjo rrit mundësinë që disa qeliza tumorale të “shkëputura” të kalojnë në qarkullimin e gjakut, të arrijnë në organe të tjera dhe të fillojnë të rriten atje.
Ky proces quhet kancer metastatik i mëlçisë, për ta dalluar nga karcinoma primare. Për shembull, kur kanceri zhvillohet në mushkëri, ai quhet kancer primar i mushkërive, ndërsa kur qelizat e mëlçisë shkojnë dhe krijojnë tumore në mushkëri, quhet metastazë e kancerit të mëlçisë në mushkëri.
Ku përhapet më shpesh kanceri i mëlçisë?
Kanceri i mëlçisë më shpesh metastazon në mushkëri, ndërsa përhapja në kocka është më e rrallë krahasuar me, për shembull, kancerin e prostatës që shpesh kalon në kocka.
Sipas një analize të publikuar nga American Journal of Gastroenterology, 3% deri në 20% e pacientëve me karcinomë hepatike zhvillojnë metastaza kockore, dhe rreth 50–75 % e tyre ndodhin në shtyllën kurrizore.