Lidhje


Studimi: Fëmijët përfitojnë gjenetikisht nga stërvitja e babait, forma fizike trashëgohet

Një zbulim shkencor me rëndësi, i realizuar nga studiues të Universitetit të Nanjingut në Kinë, ka hedhur dritë mbi një formë të re të trashëgimisë shëndetësore që shkon përtej ADN-së klasike.

 

Studimi, i botuar në revistën prestigjioze Cell Metabolism, konfirmon se aktiviteti fizik i babait mund t’u transmetojë fëmijëve aftësi të përmirësuara fizike dhe metabolike, duke ndikuar drejtpërdrejt në zhvillimin e tyre që në momentin e ngjizjes.

 

Si ndodh kjo?

 

Sipas kërkuesve, stërvitja e rregullt ndryshon ndjeshëm përbërjen gjenetike të spermës, duke rimodeluar profilin e mikroARN-ve (microRNAs), molekula që veprojnë si lajmëtarë biologjikë.

 

Këto mikroARN-ra përcjellin informacionin e fituar nga stërvitja te zigota (veza e fekonduar) dhe më pas te embrioni i hershëm, ku ndikojnë në mënyrën si shprehen gjenet. Si rezultat, fëmijët përfitojnë qëndrueshmëri më të lartë fizike (kapacitet aerobik), metabolizëm më të ekuilibruar (përfshirë ndjeshmërinë ndaj insulinës dhe kontrollin e glukozës), prodhim më efikas të energjisë qelizore (biogjenezë mitokondriale).

 

Në thelb, trupi i babait krijon një “kujtesë epigjenetike” të stërvitjes, e cila u transmetohet brezave të ardhshëm, një avantazh i lindur për shëndetin e fëmijëve.

 

Çfarë do të thotë kjo për brezat e ardhshëm?

 

Sipas autorëve, ky zbulim, i testuar fillimisht në modele shtazore, tregon se aktiviteti fizik para ngjizjes mund të jetë një mënyrë e thjeshtë, natyrale dhe pa kosto për të përmirësuar shëndetin e brezave të rinj.

 

Në praktikë, kjo mund të ndihmojë në thyerjen e ciklit të trashëgimisë së sëmundjeve kronike si obeziteti dhe diabeti, duke treguar se shëndeti i fëmijëve fillon shumë përpara lindjes së tyre, me zakonet e prindërve.

 

Në fund, mesazhi është i qartë: Kur babai stërvitet, përfiton i gjithë brezi që vjen pas tij. 

 

XS
SM
MD
LG