Lidhje


Studimi i ri: Alkooli shkakton dëmtime të rënda dhe afatgjata në tru!

Një studim i ri shkencor ka zbuluar se pasojat e alkoolit në tru mund të zgjasin shumë më tepër se sa mendohej më parë. Edhe pas muajsh pa konsumuar asnjë pikë alkool, truri mbetet i dëmtuar dhe aftësitë e vendimmarrjes preken ndjeshëm.

 

Kërkimi i financuar nga institucione federale amerikane dhe zhvilluar nga një ekip shkencëtarësh në Universitetin Johns Hopkins tregoi se pjesët e trurit përgjegjëse për kujtesën, strategjinë dhe marrjen e vendimeve preken në mënyrë të thellë nga konsumi i lartë i alkoolit.

 

Në eksperimentin e tyre, studiuesit ekspozuan disa minj ndaj sasisë së madhe të avujve të alkoolit dhe më pas i lanë për gati tre muaj në një periudhë “rehabilitimi”. Kur iu nënshtruan një testi vendimmarrjeje për shpërblim, ku duhej të shtypnin levën e duhur për të marrë një pikë ujë me sheqer, minjtë që kishin konsumuar alkool dolën dukshëm më keq se grupi tjetër.

 

“Ky ishte një test që kërkonte kujtesë dhe strategji,” thanë autorët e studimit. “Minjtë e ekspozuar ndaj alkoolit thjesht nuk ia dolën dot.”

 

Sipas profesoreshës Patricia Janak, autorja kryesore e kërkimit, rezultatet tregojnë se dëmet e shkaktuara në dorsomedial striatum, pjesa e trurit që kontrollon lëvizjet dhe vendimmarrjen, janë të thella. “Kontrolluam sinjalet nervore të trurit dhe pamë se ato ishin shumë më të dobëta te minjtë që kishin konsumuar alkool,” shpjegoi ajo.

 

Më e habitshmja, sipas studiuesve, ishte fakti se dëmtimet vazhduan edhe pas muajsh abstinence. “Kjo mund të na shpjegojë pse shumë njerëz që kanë qenë në rehabilitim kthehen përsëri te pija,” tha Janak. “Truri i tyre thjesht nuk funksionon më njësoj.”

 

Një detaj interesant është se dëmtimet u vunë re vetëm te minjtë meshkuj, jo tek ata femra, çka mund të nënkuptojë se truri i meshkujve është më i ndjeshëm ndaj efekteve afatgjata të alkoolit.

 

Ironikisht, për të studiuar dëmet që alkooli shkakton në tru, shkencëtarët kanë zgjedhur minjtë, kur në botë ka miliona njerëz që kanë dëshmuar të njëjtën gjë në praktikë. Kjo vlen një kujtesë për të kuptuar më mirë varësinë dhe dëmtimet që ajo sjell: truri nuk harron kurrë abuzimin me alkoolin, edhe kur njeriu kujton se është “përmirësuar”./joq

XS
SM
MD
LG