Lidhje


Popujt janë të përgjegjshëm për veprat e tyre...

Nga Hoxhë Mustafa Tërniqi

Allahu i Lartësuar në Kuran thotë: “Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli, derisa ata të ndryshojnë ç’kanë në vetvete. Kur Ai dëshiron ta ndëshkojë një popull, askush nuk mund ta pengojë Atë; dhe ata, përveç Tij, s’kanë asnjë ndihmës.” Surja Rrad 11

Në këtë ajet kuranor Allahu i Madhërishëm na tregon, se njerëzit me veprat e tyre janë vetë përgjegjës të drejtpërdrejtë për ndryshimin e gjendjes, rrethanave dhe kushteve të jetës së tyre individuale dhe shoqërore në të cilat jetojnë. Ndryshimi i gjendjes nënkupton të dyja format e ndryshimit, nga më e mira në një gjendje më të keqe dhe ndryshimin e gjendjes së keqe për më mirë.

Për formën e parë të ndryshimit na flet qartë një ajet tjetër kuranor, ku thuhet: “Andaj dhe Allahu nuk ia ndryshon kurrë një mirësi që ia ka dhënë një populli, derisa ata të ndryshojnë gjendjen e tyre. Vërtet, Allahu dëgjon dhe di gjithçka.”[1] Njerëzit mund të sjellin qindra shkaqe dhe plot analiza, që në dukje duken të shkëlqyera apo bindëse për shkakun e ndryshimit të gjendjes dhe të realitetit të jetës së tyre, por janë shumë pak ata njerëz që arrijnë të kuptojnë, se keqmenaxhimi i mirësive të Allahut është shkaku kryesor i ndryshimit të gjendjes së një populli. Për çdo mirësi që keqmenaxhohet shtohet një padrejtësi më shumë, deri sa të sundojë zullumi, i cili sjell zullume të tjera si dënim. Në një ajet tjetër Allahu thotë: “E kështu, Ne u japim pushtet disa keqbërësve mbi të tjerët, si dënim për veprat e tyre të këqija.”[2] Pas kësaj zullumet dhe padrejtësitë shtohen njëra pas tjerës kur shikojmë që njerëzit duan t’u japin zgjidhje problemeve të tyre dhe të ndryshojnë gjendjen e shëmtuar dhe të mjeruar, duke u mbështetur në aftësitë e tyre njerëzore, pa u orientuar nga udhëzimet qiellore. Shekulli 20 është treguesi më i mirë historik, se deri ku mund të shkojnë zullumet dhe mizoritë njerëzore. Sistemet politike dhe ideologjitë e ndryshme, të cilat vranë dhe zhdukën miliona njerëz në emër të së mirës, në emër të synimit për të arritur shoqëri të përsosura, nuk bënë gjë tjetër vetëm se vërtetuan, se si mund të shkatërrohen shoqëritë njerëzore, kur ato largohen dhe anashkalojnë mësimet dhe udhëzimet hyjnore.

 

Kryesisht njerëzit kërkojnë zgjidhje të dalin nga gjendja e vështirë duke mos analizuar shkakun kryesor që i bëri të kalojnë nga gjendja e mirë në atë të keqe dhe të mjeruar. Andaj, në vijim do të përmendim se si mund t’i menaxhojë njeriu mirësitë dhe dhuntitë e Zotit, që të mos i humbë ato, e për rrjedhojë mos të ndryshojë gjendjen e tij për më keq. Për ta thjeshtuar më shumë do t’i rendisim me radhë:

 

1- Të pranojë mirësitë e Allahut. Këtë na e vërteton hadithi profetik, ku Pejgamberi (alejhis-salatu ues-selam) na tregon për lutjen e istigfarit (kërkimit falje) më të mirë mes lutjeve të tjera (sejjid el-istigfar), që këndohet mëngjes e mbrëmje, ku mes të tjerash thuhet:  “Zoti im! Të kërkoj mbrojtje nga të këqijat që kam bërë. Jam mirënjohës për mirësitë e Tua tek unë. I pranoj gjynahet e mia, andaj më fal, sepse nuk ka tjetër që mund të falë gjynahet përveç Teje.”[3]

 

2- Të besojë se mirësitë e Allahut janë të panumërta dhe se ai është i pafuqishëm për ta falënderuar Atë për të gjitha. Allahu i Lartësuar në një ajet kuranor thotë: “Nëse do t’i numëronit mirësitë e Allahut, nuk do të mund t’i llogarisnit ato. Allahu është vërtet Falës dhe Mëshirëplotë.” [4]

 

3- Të falënderojë me gojë qoftë dhe për mirësi dhe begati, që në pamje të parë duken të vogla. Profeti (alejhis-salatu ues-selam) thotë: “Kush nuk falënderon të paktën, nuk e falënderon as të shumtën.”[5]

 

4- Të flasë vazhdimisht për mirësitë, që Allahu i ka dhuruar. Profeti (alejhis-salatu ues-selam) në vijim të hadithit të mëson këtë gjë: “Kush nuk falënderon të paktën, nuk e falënderon as të shumtën, kush nuk falënderon njerëzit, nuk e ka falënderuar as Allahun. Të flasësh për të mirat, që të jep Allahu është shenjë falënderimi, e ta lësh atë mënjanë është shenjë mosmirënjohje.”[6] Gjithashtu kemi dhe ajetin kuranor ku Allahu thotë: “Dhe shpalli e fol për mirësitë, që të dha Zoti yt!”[7]

 

5- Të mos mjaftohet me falënderimin nëpërmjet gjuhës, apo duke folur rreth mirësive, por edhe duke vepruar e punuar adhurime dhe punë të mira në shenjë falënderimi. Allahu i Lartësuar i drejtohet familjes së profetit Davud (alejhis-selam) me këto fjalë: “O familje e Daudit! Punoni në formë falënderimi (për Allahun)!” Megjithatë, pak nga robërit e Mi, janë falënderues.[8]

 

6-Të jetojë me mirësitë. Pra t’i konsiderojë ato pjesë të rëndësishme të jetës së tij dhe ta ndjejë se ka nevojë çdo herë për to. Kjo gjë e bën besimtarin të falënderojë me format e sipërpërmendura vazhdimisht.

 

7- Të ftojë të tjerët të njohin dhe pranojnë mirësitë e Allahut, e më pas të falënderojnë për to. Thirrja islame nuk lidhet vetëm me jobesimtarët, që të pranojnë besimin e vërtetë, por edhe me besimtarët muslimanë, kur ata këshillojnë për mirë dhe ndalojnë nga e keqja pjesë e së cilës është dhe njohja dhe rikujtimi i mirësive dhe begative të Allahut.

 

8- Të lutet që Allahu t’i ruaj ato mirësi që ka dhe ta furnizojë e pajisë me të tjera, duke filluar me dhuratën më të madhe që të ka dhënë Allahu, udhëzimin në Islam e deri te mirëstitë e shumta të vogla. Në Kuranin Famëlartë Allahu i Lartësuar na mëson, si t’i lutemi Atij: “O Zoti ynë! Mos lejo që zemrat tona të shmangen (nga e vërteta), pasi na ke udhëzuar në rrugën e drejtë, dhe jepna mëshirë prej Teje; vërtet, Ti je Dhuruesi i Madh!”[9]

 

Të gjitha pikat e përmendura më sipër shërbejnë për të qartësuar besimtari veten, raportin e tij me Allahun, por edhe për të analizuar veten, ku është dhe çfarë kërkohet prej tij.

 

Nëse njerëzit neglizhojnë, harrojnë apo shpërfillin mirësitë e Zotit, që i krijoi do të përballen patjetër me ndryshimin e gjendjes, sepse janë ata vetë që ndryshuan trajtën e mirësive dhe nuk ditën ditën apo nuk deshën t’i gëzonin siç ua dha Zoti. Si dënim, Allahu ua merr apo ua largon mirësitë njerëzve, ose ua lë, por ju merr bekimin dhe ata jo vetëm që nuk do të gëzohen e qetësohen me mirësitë e Allahut, por mund të përjetojnë mjerim shpirtëror ose probleme të njëpasnjëshme brenda atyre mirësive, të cilat tashmë kthehen dhe transformohen nga mirësi në dënim pa e kuptuar.

 

Nga ana tjetër, kur njeriu e kupton gjendjen e mjerueshme ku ka rënë, nuk mund ta ndryshojë gjendjen e përkeqësuar vetëm se duke u kthyer tek Allahu dhe kthimi bëhet duke pranuar gabimet dhe gjynahet e tij, duke u penduar dhe duke kërkuar falje, dhe duke menaxhuar mirësitë që Allahu i ka dhënë në vazhdimësi, duke i pranuar ato, duke besuar se ato janë prej Zotit dhe të panumërta, duke falënderuar për to me fjalë dhe me vepra, të jetojë me to dhe të ftojë të tjerët t’i njohin dhe të falënderojnë për to, dhe t’i lutet Allahut që t’ia ruajë dhe t’ia shtojë mirësitë. Në këtë formë Allahu do ta ndihmojë, që gjendja dhe rrethanat ku jeton të ndryshojnë për më mirë në varësi të mënyrës dhe saktësisë së kthimit të tij.

 

[1] Surja Enfal 53.

[2] Surja En’am 129.

[3] Sahih Buhari nr. 6306.

[4] Surja Nahl 18.

[5] Musned Ahmed ibn Hanbel nr 18449.

[6] Musned Ahmed ibn Hanbel nr 18449.

[7] Surja ed-Duha 11.

[8] Surja Sebe’ 13.

[9] Surja Ali Imran 9

XS
SM
MD
LG