Lidhje


Pagesa me kartë nëpër autobusë nga 1 qershori/ 'Këmbanë alarmi' për çmimin, bileta 40 lekë rrezikon të rritet nga kostot bankare

Nga 1 qershori, pagesa e biletës së autobusit në qytet pritet të ndryshojë, pasi operatorët e transportit do të pajisen me terminale POS/POI për pagesa me kartë bankare, sipas një njoftimi nga administrata tatimore.

 

Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas shpreh shqetësime për mënyrën se si kjo nismë mund të zbatohet në praktikë, duke pasur parasysh koston e lartë të transaksioneve në raport me çmimin e ulët të biletës.

 

Aktualisht bileta urbane kushton 40 lekë, por sipas operatorëve, pagesa me kartë mund ta rrisë ndjeshëm koston për shkak të tarifave bankare, të cilat përfshijnë komisione përqindëse, tarifa fikse për çdo transaksion, si dhe kosto të tjera për pajisjet dhe mirëmbajtjen e sistemit.

 

Sipas tyre, vetëm tarifa fikse për një pagesë me kartë mund të arrijë deri në 30 lekë, duke e bërë pothuajse të barabartë me vetë çmimin e biletës.

 

Operatorët kanë kërkuar sqarime nga institucionet për mënyrën e zbatimit të sistemit, përfshirë nëse kostot do të mbulohen nga shteti, nga kompanitë e transportit apo do të reflektohen te qytetarët.

 

Po ashtu, ata ngrejnë pyetje për mënyrën e përdorimit të POS në autobusë, për ngarkesën në oraret me fluks të lartë pasagjerësh, si dhe për mungesën e një sistemi të unifikuar elektronik pagesash për transportin urban.

 

Shoqata vlerëson procesin e formalizimit dhe modernizimit, por kërkon një analizë më të thelluar ekonomike dhe teknike për sektorin e transportit qytetas, për shkak të numrit të madh të udhëtimeve dhe vlerës së ulët të çdo bilete./monitor

XS
SM
MD
LG