Nuk dihet se ku ndodhet prej muajsh, Mojtaba Khamenei: SHBA nuk do të ketë më “strehë të sigurt” në Gjirin Persik
Deklarata u publikua përmes kanalit të tij në Telegram, në një kohë kur Teherani dhe Uashingtoni po diskutojnë për një kornizë që synon përfundimin e konfliktit mes dy vendeve.
“Koha nuk kthehet pas dhe vendet e rajonit nuk do të shërbejnë më si mburojë për bazat amerikane. Amerika nuk do të ketë më strehë të sigurt për praninë e saj ushtarake në rajon”, thuhet në mesazhin e liderit iranian.
Mojtaba Khamenei mori drejtimin e Iranit në muajin mars, pas vrasjes së babait të tij, Ali Khamenei, gjatë sulmeve ajrore të SHBA-së dhe Izraelit. Deri tani, lideri i ri iranian nuk është shfaqur publikisht.
Ndërkohë, zëdhënësi i forcave të armatosura iraniane, Abolfazl Shekarchi, paralajmëroi se çdo sulm i ri ndaj Iranit do të përballet me një reagim “shumë më të ashpër”, që sipas tij do të shtrihet edhe përtej Lindjes së Mesme.
Në deklaratat për agjencinë iraniane Fars, ai tha se në rast të një përshkallëzimi të ri të luftës, sulmet iraniane do të jenë “më të forta dhe më të dhunshme” se në konfliktet e mëparshme.
Edhe deputeti iranian Ebrahim Rezaei deklaroi se negociatorët e Teheranit duhet të zhvillojnë bisedimet me SHBA-në “nga pozita force”.
Sipas tij, Irani mbetet “fituesi i vërtetë i luftës”, ndërsa paralajmëroi se çdo tërheqje përballë kundërshtarëve vetëm sa do të përkeqësonte situatën.