Pas Libanit, I.zraeli hap një front të ri kundër Turqisë? Njohja e "gjenocidit armen" si armë gjeopolitike
Vendimi i qeverisë izraelite për të njohur unanimisht vrasjet masive të armenëve gjatë Luftës së Parë Botërore si "gjenocid" nuk mund të lexohet thjesht si një akt moral apo historik. Ai vjen në një moment kur marrëdhëniet mes Izraelit dhe Turqisë kanë hyrë në pikën më të ulët të dekadave të fundit, ndërsa Ankaraja është bërë një nga kritikët më të ashpër të politikës izraelite në Gaza dhe në rajon.
Ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Sa’ar, e paraqiti vendimin si një "detyrë morale" për të njohur të vërtetën historike dhe për të kundërshtuar mohimin e saj. Sipas tij, Izraeli, si shtet hebre, kishte detyrimin ta ndërmerrte këtë hap. Vendimi u mbështet nga kryeministri Benjamin Netanyahu, ndërsa pritet të marrë edhe ratifikimin e parlamentit.
Megjithatë, koha e këtij vendimi ngre pyetje që shkojnë përtej historisë. Për më shumë se një shekull, çështja armene ka qenë objekt debatesh të forta mes historianëve, juristëve dhe shteteve. Ndërkohë që një numër vendesh perëndimore e kanë njohur atë si gjenocid, Turqia e kundërshton këtë cilësim, duke argumentuar se ngjarjet ndodhën në kushtet e një lufte civile, shpërbërjes së Perandorisë Osmane dhe përplasjeve të armatosura, ku viktima pati nga shumë komunitete të ndryshme.
Pikërisht për këtë arsye, shumë analistë e shohin njohjen izraelite jo vetëm si një deklaratë historike, por edhe si një sinjal politik ndaj Ankarasë. Në diplomacinë ndërkombëtare, kujtesa historike shpesh përdoret si instrument presioni dhe jo rrallë aktivizohet në momente përplasjesh strategjike.
Në muajt e fundit, përplasja mes Izraelit dhe Turqisë është thelluar ndjeshëm. Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan ka dënuar vazhdimisht operacionet izraelite në Gaza, ka mbështetur publikisht kauzën palestineze dhe ka akuzuar Tel Avivin për shkelje të së drejtës ndërkombëtare. Në këtë klimë tensioni, vendimi për njohjen e çështjes armene shihet nga shumë vëzhgues si pjesë e një përshkallëzimi politik mes dy fuqive rajonale