Lidhje


BE gjobit “AliExpress” me 550 milionë euro për shitjen e produkteve të paligjshme

Komisioni Evropian i ka vendosur një gjobë prej 550 milionë eurosh kompanisë AliExpress, duke e akuzuar se nuk ka vlerësuar dhe menaxhuar në mënyrë të mjaftueshme rreziqet që lidhen me shitjen e produkteve të paligjshme, të pasigurta dhe të falsifikuara në platformën e saj të tregtisë elektronike.

 

Ky vendim vjen vetëm pak ditë pasi Bashkimi Evropian vendosi një tarifë fikse prej 3 eurosh për dërgesat me vlerë nën 150 euro, të cilat deri më tani hynin në tregun evropian pa taksa. Masa pritet të ndikojë ndjeshëm në modelin e biznesit të kompanive kineze të shitjeve online, si AliExpress, Shein dhe Temu.

 

Gjoba përbën zhvillimin më të fundit në procedurën zyrtare të nisur nga Komisioni Evropian në vitin 2024 për dyshime mbi shkeljen e Aktit të Shërbimeve Digjitale (DSA).

 

Sipas gjetjeve të hetimit, një numër i madh produktesh të paligjshme, përfshirë lodra të pasigurta dhe produkte kozmetike të rrezikshme, vazhduan të ishin të disponueshme në AliExpress pavarësisht masave të moderimit. Në disa raste, këto produkte mbetën aktive në platformë për javë të tëra edhe pasi ishin raportuar.

 

Komisioni Evropian konstatoi gjithashtu se AliExpress nuk e kishte zbatuar në mënyrë efektive politikën e saj të ndëshkimeve, duke lejuar që dyqane që tregtonin produkte të paligjshme të vazhdonin aktivitetin edhe pas vendosjes së sanksioneve.

 

Kompania ka afat deri më 20 tetor 2026 për të dorëzuar një plan veprimi, ku duhet të shpjegojë masat që do të ndërmarrë për të adresuar shqetësimet e ngritura nga Komisioni.

 

Pas marrjes së këtij plani, ekzekutivi i BE-së do të vendosë brenda dy muajve nëse do të nevojiten masa të tjera.

 

Në një reagim për Euronews, AliExpress deklaroi se ka investuar burime të konsiderueshme në vlerësimin dhe uljen e rreziqeve, sigurinë e produkteve dhe mbrojtjen e konsumatorëve.

XS
SM
MD
LG