Lidhje


DASH jep alarmin/ Raporti i Sigurisë për Shqipërinë: Krimi dhe korrupsioni janë shtuar, pandëshkueshmëria mbetet problem serioz

Raporti i Sigurisë për Shqipërinë i publikuar nga Overseas Security Advisory Council (OSAC), një strukturë e Departamentit Amerikan të Shtetit që harton vlerësime të sigurisë për qytetarët dhe bizneset amerikane jashtë vendit, sjell për herë të parë një referencë të drejtpërdrejtë për ishullin e Sazanit, duke e lidhur atë me një nga zhvillimet më të rëndësishme të vitit 2026 në Shqipëri. Në raport thuhet se protestat kundër projektit të planifikuar të resortit turistik në Sazan nisën si demonstrata me karakter mjedisor, por më pas morën përmasa kombëtare dhe u shndërruan në protesta kundër korrupsionit qeveritar.

 

Sipas dokumentit, ndërhyrja e policisë për shpërndarjen e protestuesve çoi në mobilizimin e mijëra qytetarëve në disa qytete të vendit, ndërsa një pjesë e demonstratave përfunduan me episode dhune. Raporti e përfshin këtë zhvillim në analizën e tij mbi stabilitetin politik dhe sigurinë në Shqipëri, duke e cilësuar si një nga ngjarjet më domethënëse të vitit 2026. Përtej zhvillimeve politike, raporti evidenton se kërcënimi kryesor për vizitorët në Shqipëri vazhdon të jetë kriminaliteti.

 

Sipas OSAC, kriminaliteti u rrit me rreth 17% gjatë vitit 2025, me ndikimin më të madh nga krimet e lidhura me trafikun e drogës, mashtrimet dhe veprat penale që përfshijnë armët. Raporti thekson se Shqipëria vazhdon të ketë një prani të konsiderueshme të krimit të organizuar. Dokumenti përshkruan ekzistencën e rrjeteve kriminale të përfshira në trafik droge, pastrim parash, trafikim qeniesh njerëzore, zhvatje, prostitucion dhe korrupsion.

 

Një tjetër element që evidentohet është fakti se një pjesë e armëve dhe eksplozivëve të paligjshëm që qarkullojnë në Evropë kanë origjinë ose kalojnë tranzit përmes territorit shqiptar, ndërsa autoritetet shqiptare kanë shtuar përpjekjet për goditjen e këtyre rrjeteve. Raporti kujton gjithashtu protestat që pasuan zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, të cilat u karakterizuan nga marshime të mëdha në Tiranë, bllokime të bulevardit "Dëshmorët e Kombit" dhe përdorim të mjeteve piroteknike, përfshirë kokteje Molotov të hedhura drejt ndërtesave.

 

OSAC vlerëson se demonstratat në Shqipëri janë të zakonshme dhe, edhe kur nisin në mënyrë paqësore, mund të përshkallëzohen shpejt në incidente të dhunshme, duke këshilluar udhëtarët amerikanë t'i shmangin ato. Një kapitull i veçantë i raportit i kushtohet sigurisë kibernetike. Dokumenti vlerëson se Shqipëria mbetet objektiv i sulmeve nga aktorë shtetërorë, duke përmendur në mënyrë të drejtpërdrejtë Iranin dhe Rusinë.

 

Sipas raportit, gjatë vitit 2026 Irani kreu sulme kibernetike ndaj faqeve dhe sistemeve shtetërore shqiptare. OSAC paralajmëron se sulme të tilla mund të cenojnë infrastrukturën kritike dhe funksionimin e shërbimeve publike, duke krijuar pasoja të gjera për vendin. Megjithëse Tirana klasifikohet si zonë me rrezik mesatar për terrorizmin ndaj interesave amerikane, raporti thekson se Shqipëria nuk ka përjetuar asnjë sulm terrorist të suksesshëm gjatë dekadës së fundit.

 

Raporti vlerëson se korrupsioni në administratë, drejtësi dhe prokurime publike, mungesa e transparencës, si edhe ndikimi i interesave të fuqishme politike dhe ekonomike, vazhdojnë të konsiderohen pengesa serioze për forcimin e shtetit të së drejtës.

 

“Shqipëria ka një kuadër ligjor të fortë për të luftuar korrupsionin dhe për të parandaluar konfliktin e interesit të zyrtarëve publikë dhe politikanëve, përfshirë edhe anëtarët e familjeve të tyre. Megjithatë, investitorët e huaj përmendin korrupsionin, duke përfshirë atë në sistemin gjyqësor, në qeveri, në prokurimet publike dhe në media, mungesën e transparencës dhe konkurrencës, ekonominë e madhe informale dhe zbatimin e dobët të kontratave, si disa nga problemet më të mëdha që pengojnë mjedisin e biznesit në Shqipëri. Pandëshkueshmëria mbetet një problem serioz. Me krijimin e SPAK-ut në vitin 2019, arrestimi dhe ndjekja penale e zyrtarëve që kryejnë abuzime është në rritje; megjithatë, shumë zyrtarë, politikanë, gjyqtarë dhe persona me interesa të fuqishme biznesi ende janë në gjendje t'i shmangen ndjekjes penale. Korrupsioni vazhdon të jetë një problem serioz në qendrat e paraburgimit dhe burgjet, veçanërisht në lidhje me aksesin në punë dhe programet e posaçme të lirimit,” thuhet në raport.

 

Në përfundim, OSAC rekomandon që qytetarët amerikanë të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qëndrimit në Shqipëri, të shmangin protestat, të kenë kujdes nga vjedhjet dhe mashtrimet, të përdorin taksi të licencuara, të kufizojnë udhëtimet me makinë gjatë natës dhe të pajisen me sigurim shëndetësor përpara udhëtimit./lapsi

XS
SM
MD
LG