Lidhje


Skandali i AKSHI-t merr kthesë ndërkombëtare: Ermal Beqiraj arrestohet në Francë pas fluturimit mbi centralin bërthamor

Biznesmeni shqiptar Ermal Beqiraj, i shpallur në kërkim nga SPAK si një nga personat kyç të dosjes së bujshme të AKSHI-t, është arrestuar në Francë pas një incidenti të pazakontë pranë centralit bërthamor të Penly. Lajmi është raportuar nga mediat franceze dhe shqiptare, ndërsa autoritetet franceze nuk kanë ngritur deri tani akuza për spiunazh.

 

Sipas raportimit të Le Journal du Dimanche (JDD), Beqiraj po pilotonte një avion të lehtë civil kur fluturoi mbi centralin bërthamor të Penly në Normandi, duke zbritur nën lartësinë minimale të lejuar për këtë zonë të mbrojtur. Pas alarmit, Forcat Ajrore Franceze e shoqëruan avionin deri në aeroportin e Albert, ku ai u ndalua nga policia për t'u marrë në pyetje.

 

Gjatë kontrollit, policia gjeti tre pajisje AirTag, ndërsa itinerari i fluturimit dhe deklarimet e pilotit ngritën dyshime te hetuesit. Sipas JDD, ai deklaroi se ulja e lartësisë kishte qenë e paqëllimshme dhe se në atë moment ishte duke folur në telefon me nënën e tij. Më pas u gjobit për shkeljen e rregullave të fluturimit, ndërsa dosja iu referua strukturave franceze të specializuara për hetimin e krimit të organizuar. Deri tani nuk ka akuza zyrtare për spiunazh.

 

Ermal Beqiraj është një nga personat e kërkuar nga SPAK në hetimin për skandalin e tenderëve të AKSHI-t, ku prokuroria dyshon për manipulim të procedurave të prokurimit publik, korrupsion, pastrim parash dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal. Në kuadër të këtij hetimi janë sekuestruar pasuri me vlerë mbi 40 milionë euro dhe ndaj Beqirajt ishte caktuar masa e sigurisë "arrest në burg".

 

Arrestimi i tij në Francë pritet të pasohet nga procedurat për ekstradim drejt Shqipërisë, ku do të përballet me drejtësinë për akuzat e ngritura nga SPAK.

XS
SM
MD
LG