Amnesty i kërkon Italisë dhe Shqipërisë të mbyllin kampin e emigrantëve në Gjadër
Organizata e të drejtave të njeriut Amnesty International u bëri thirrje të enjten Italisë dhe Shqipërisë që t’i japin fund marrëveshjes që synon dërgimin e migrantëve dhe azilkërkuesve në qendra ndalimi jashtë territorit italian, në Shqipëri.
Në një raport të ri kërkimor, Amnesty International tha se marrëveshja e vitit 2023 mes kryeministres italiane Giorgia Meloni dhe kryeministrit shqiptar Edi Rama “po rrezikon sigurinë, lirinë dhe të drejtat e njeriut”.
Sipas skemës, burrat e rritur nga vende të përcaktuara si “të sigurta”, të cilët kapen nga roja bregdetare italiane teksa përpiqen të kalojnë Mesdheun, do të transferoheshin me anije në qendrat e ndalimit në Shqipëri, të administruara nën juridiksionin italian. Atje, kërkesat e tyre për azil do të shqyrtoheshin me procedurë të përshpejtuar dhe do të përfundonin brenda 28 ditësh – shumë më shpejt se procesi disamujor që zhvillohet zakonisht në Itali, përpara një riatdhesimi të mundshëm.
“Qëllimi përfundimtar i ndalimit jashtë territorit është frenimi i migracionit dhe përpjekja për të zhvendosur dhe shmangur si përgjegjësitë për t’iu përgjigjur njerëzve që migrojnë, ashtu edhe detyrimin për t’u ofruar azil atyre që kanë nevojë. Marrëveshja e Italisë me Shqipërinë tregon edhe një herë koston e pashmangshme që kjo qasje ka për të drejtat e njeriut,” tha Eve Geddie, drejtoreshë e Zyrës së Amnesty International për Institucionet Europiane.
“Pak përpara se marrëveshja të hynte në fuqi, Amnesty International ngriti alarmin për ndikimin e dëmshëm që ajo do të kishte në mënyrë të pashmangshme mbi të drejtat e njerëzve në rrezik në det dhe të personave të transferuar në Shqipëri. Është e qartë se këto shqetësime tashmë janë materializuar,” shtoi Geddie.
Gjykatat italiane urdhëruan kthimin në Itali të tre grupeve të para që u dërguan në Shqipëri, duke iu referuar një vendimi të Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Europian, GJED, të 4 tetorit 2024, sipas të cilit përcaktimi i një vendi si “i sigurt” duhet të vlejë për të gjithë territorin e tij.
Në mars 2025, Meloni hoqi dorë nga plani fillestar në pritje të zgjidhjes së sfidave ligjore. Qeveria italiane miratoi më pas legjislacion që lejonte ndalimin në Gjadër, Shqipëri, të migrantëve dhe refugjatëve ndaj të cilëve autoritetet italiane kishin nxjë urdhra dëbimi.
Ky ndryshim bëri që kampi i Gjadrit të shndërrohej në një qendër riatdhesimi për personat që kishin mbërritur në Itali, u ishte refuzuar azili dhe më pas ishin pajisur me urdhër dëbimi.
Sipas hetimeve të Amnesty International, 500 burra janë “transferuar me forcë në qendrën e ndalimit në Gjadër gjatë 15 muajve të fundit”.
Raporti vëren se, “mes 11 prillit dhe 16 majit 2025, në qendrën e Gjadrit u regjistruan 42 incidente kritike, përfshirë të paktën dy tentativa varjeje, një protestë gjatë së cilës tre persona u plagosën nga xhamat e thyer, si dhe raste të ndryshme vetëlëndimi”.
“Qeveria italiane ka penguar monitorimin e pavarur të zbatimit të marrëveshjes, përfshirë përmes kufizimit të mbikëqyrjes parlamentare dhe anashkalimit të proceseve të zakonshme legjislative. Duke kufizuar aksesin dhe mbikëqyrjen nga vëzhgues të pavarur të të drejtave të njeriut, ajo që ndodh në qendrat e ndalimit në Shqipëri mbetet në një masë të madhe e mbuluar nga fshehtësia,” thuhet në raport.
“Megjithëse personat e ndaluar në Shqipëri janë nën juridiksionin italian, distanca e tyre fizike nga Italia, e kombinuar me aksesin e kufizuar te avokatët, gjykatat dhe mekanizmat e tjerë mbrojtës, cenon ndjeshëm efektivitetin e së drejtës për të kërkuar azil dhe për të pasur akses në drejtësi,” shton raporti.
Një investigim i BIRN zbuloi se kostoja e ndërtimit të qendrave në Shëngjin dhe Gjadër pothuajse u dyfishua, nga 39.2 milionë euro në mbi 74 milionë euro, ndërsa kostoja mesatare për shtrat në Shqipëri arriti në rreth 72 mijë euro.
Investigimi zbuloi gjithashtu se e gjithë procedura u zhvillua përmes negocimit të drejtpërdrejtë dhe pa konkurrim./reporter