Lidhje


Prifti ortodoks që mbrojti Gazën qëllohet me thikë për shkak të ekstremizmit të ushqyer nga rrjetet sociale

Një djalë 15-vjeçar akuzohet se sulmoi peshkopin Mar Mari Emmanuel, një figurë e lartë në Kishën Ortodokse Asiriane ultra-konservatore dhe plagosi tre të tjerë gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë të një predikimi. Të paktën 30 persona, duke përfshirë dy oficerë policie, u plagosën kur turmat e zemëruara u mblodhën jashtë kishës në kërkim të hakmarrjes të hënën mbrëma. Chris Minns, kryeministri i Uellsit të Ri Jugor, tha se mijëra oficerë policie u vendosën në mbrojtje të organizatave dhe strukturave fetare "për të shmangur hakmarrjen ose aktet e rëndomta të dhunës".

 

Policia dhe drejtuesit e komunitetit thanë se shqetësimi dhe ankthi i publikut është rritur që prej një sulmi tjetër fatal me thikë të një agresori në një qendër tregtare të Sidneit të shtunën, sulm ky prej të cilit mbetën të vrarë pesë gra dhe një roje sigurie që u përpoq të ndërhynte. Sulmuesi 40-vjeçar Joel Cauchi kishte një histori të sëmundjeve mendore. Ai gjatë atij sulmi u qëllua për vdekje nga policia.

 


Ndërsa përsa i përket sulmit ndaj priftit komisionerja e Policisë së NSW Karen Webb tha se goditja me thikë konsiderohet një incident terrorist pas "shqyrtimit të të gjithë materialit" në dispozicion të policisë. Ajo e bëri këtë përcaktim rreth orës 1:35 të mëngjesit i cili u mbështet edhe nga ministrja e policisë Yasmin Catley në orën 1:44 të mëngjesit. Catley informoi Kryeministrin Chris Minns në orën 2 të mëngjesit. Të hënën në mbrëmje, një adoleshent mashkull e goditi priftin Emanuel dhe besimtarët e tjerë me thikë gjatë një predikimi në kishën Asiriane, Christ The Good Shepherd, në perëndim të Sidneit.

 


“Ne mendojmë se ka elementë të besueshëm përsa i përket pistës së ekstremizmit të motivuar fetar” tha Webb.

 

Kisha tha në një deklaratë të martën se gjendja e peshkopit 53-vjeçar të lindur në Irak po "përmirësohej". Në një deklaratë, Kisha "Christ The Good Shepherd" tha se peshkopi Emanuel pësoi disa goditje në kokë dhe në trup. Prifti i famullisë At Isaac Royel u plagos gjithashtu, por askush tjetër brenda kishës nuk u dëmtua, tha ajo.

 


Emmanuel ka ndjekës të shumtë në mediat sociale dhe është i hapur në trajtimin e një sërë çështjeve. Ai proselitizon si ndaj hebrenjve ashtu edhe ndaj myslimanëve dhe është kritik po ashtu ndaj besimeve të krishtera liberale. Ai gjithashtu flet hapur për çështjet politike globale dhe ankohet për gjendjen e vështirë të palestinezëve në Gaza. Peshkopi, i përshkruar në mediat lokale si një figurë kontroverse ndaj çështjeve të tilla si kufizimet e COVID-19, ishte në lajmet kombëtare vitin e kaluar për komentet rreth politikave gjinore. Popullariteti i Emmanuelit arriti kulmin gjatë pandemisë COVID sepse predikimet e tij u shpërndanë në internet, sipas Mary Anoya, 17 vjeç, familja e së cilës shkon në kishën e tij. Ajo, si dhe studentët e tjerë në shkollën e saj të mesme, preferon ti ndjekë predikimet e tij në TikTok.

 


Në një postim të fundit ai shprehu mbështetjen për palestinezët në Gaza. Në predikimet e tjera, Emmanuel sulmoi botën laike, duke hedhur dyshime mbi zgjedhjen e zotit Biden, duke kritikuar mbështetjen e tij për të drejtat e homoseksualëve dhe duke i kërkuar Donald Trumpit që t'i qëndrojë besnik Zotit dhe t'i rezistojë ndikimit të masonëve.

 


Peshkopi 53-vjeçar, i cili është shumë popullor mes të rinjve në TikTok u shpërblye nga YouTube në 2023 për arritjen e 100,000 abonentëve, ka qenë një objektiv kritikash, urrejtjesh si dhe për sulmet verbale të  qëllimshme ndaj disa komuniteteve të caktuara në rrjetet sociale dhe përgjithësisht në internet./ Përpunuar nga disa agjensi lajmesh

XS
SM
MD
LG