Lidhje


Meta do të mbyllë përkohësisht platformën Threads në Turqi

Meta Platforms njoftoi të hënën se platforma e saj e mediave sociale Threads do të mbyllet përkohësisht në Turqi, një vendim që kompania tha se ishte marrë në përputhje me një urdhër të përkohshëm të autoritetit turk të konkurrencës. Platforma do të pezullohet nga 29 Prilli, tha kompania në një postim në blog.

 

Ajo vuri në dukje se nuk do të kishte asnjë ndikim në platformat dhe shërbimet e tjera të mediave sociale të Metës, duke përfshirë Facebook, Instagram dhe WhatsApp në Turqi.

 

"Ne e dimë se kjo do të jetë shumë zhgënjyese për shumë njerëz në Turqi që angazhohen në Threads me komunitetin e tyre. Ne po marrim hapa për të minimizuar ndërprerjen sa më shumë që të jetë e mundur," thuhej në postim.

 

Muajin e kaluar, Autoriteti i Konkurrencës (RK) vendosi një masë të përkohshme ndaj Meta-s që synonte të pengonte ndarjen e të dhënave midis platformave Instagram dhe Threads pasi hetonte abuzimin e mundshëm të pozicionit dominues të kompanisë në treg.

 

Autoriteti tha se masa do të mbetet në fuqi deri në marrjen e një vendimi përfundimtar.

 

"Ne nuk pajtohemi me urdhrin e përkohshëm, besojmë se jemi në përputhje me të gjitha kërkesat ligjore turke dhe ne do të apelojmë," tha Meta, megjithëse nuk kishte "zgjidhje tjetër veçse të mbyllte përkohësisht Threads" në Turqi.

 

Meta lançoi Threads në korrik të vitit të kaluar si një konkurrent i X, dikur Twitter, me bosin Mark Zuckerberg që tha në shkurt se shërbimi kishte 130 milionë përdorues mujor në mbarë botën.

 

Aplikacioni i lejon përdoruesit të postojnë tekst, imazhe ose video, si dhe të pëlqejnë, ndajnë ose ripostojnë përmbajtjen.

 

Llogaritë e postimeve sinkronizohen me Instagramin që në fillim, duke i lejuar përdoruesit të mbajnë emrat e tyre të përdoruesve dhe ti mundësohet arritja e kësaj platforme tek ndjekësit që kanë.

 

Aplikacioni ishte menjëherë i disponueshëm në SHBA dhe mbi 100 vende të tjera, përfshirë Britaninë e Madhe, megjithatë, përdoruesve të Bashkimit Evropian iu desh të prisnin muaj që Meta të dilte me një version të përshtatur me ligjet strikte të mbrojtjes së të dhënave dhe konkurrencës.

 

Në mars, RK kishte thënë se kombinimi i Metës i të dhënave të përdoruesve nga Instagram me profilet e Threads të njerëzve "do të çojë në dëme të pariparueshme".

 

Duke pasur parasysh bazën e gjerë të përdoruesve, mbledhjen e të dhënave dhe burimet financiare, "praktikat e Meta-s në treg përbëjnë një pengesë për aksesimin" pra për konkurrencën e mundshme, shtoi autoriteti.

 

Meta tha se do të lejojë përdoruesit ekzistues të Threads të fshijnë ose çaktivizojnë profilet e tyre përpara përfundimit të 29 prillit, me një mundësi për t'i riaktivizuar ato nëse vendimi anulohet.

 

"Nëse një person zgjedh të çaktivizojë profilin e tij, atëherë postimet dhe ndërveprimet e përdoruesve me postimet e njerëzve të tjerë do të bëhen përsëri të dukshme nëse Threads kthehet në Turqi," vuri në dukje ai./ Nga DS

XS
SM
MD
LG