Parlamenti britanik miratoi mocionin e Alicia Kearns për Kosovën
Thursday, 02 May 2024 21:08
Dhoma e Ulët e Parlamentit britanik ka miratuar të enjten një mocion për Kosovën dhe Bosnjë e Hercegovinën të propozuar nga deputetja Alicia Kearns, me të cilën Britania mbështet integritetin territorial të Kosovës dhe dënon sulmin në Banjskë ndaj Policisë së Kosovës. Ky mocion u propozua nga Kearns pas një debati që u zhvillua mbi sigurinë në Ballkanin Perëndimor. “Kërkoj që kjo Dhomë të lëvizë në njohjen e situatës akute të sigurisë në Ballkanin Perëndimor, të mbështesë integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës dhe Bosnjë e Hercegovinës, të dënojë sulmin e militantëve nacionalistë serbë në Banjskë në Kosovë më 24 shtator 2023”, thuhet në mocionin e propozuar nga deputetja Kearns, i miratuar në Parlamentin britanik.
Po ashtu në mocionin e miratuar kërkohet të mbështet autoritetin i Gjykatës Kushtetuese në Bosnje dhe Hercegovinë dhe të dënohet ndërhyrjen ruse në Ballkan.
“Parlamenti vëren me shqetësim retorikën politike irredentiste pro-ruse dhe pro-serbe në Mal të Zi dhe i kërkon qeverisë të rrisë angazhimin e saj me partnerët rajonalë dhe aleatët ndërkombëtarë për të përmirësuar peizazhin e sigurisë të Ballkanit Perëndimor”, thuhet në mocionin e miratuar në Londër.
“E kënaqur që Parlamenti sot njëzëri ra dakord me këtë mocion për Ballkanin Perëndimor”, ka shkruar Kearns në platformën “X”./Nga rtv Besa