Lidhje


Vazhdojnë protestat e tensionuara para Bashkisë së Tiranës

Në Shqipëri vazhdojnë protestat për të "denoncuar rastet e korrupsionit në Bashkinë e Tiranës", ndërkohë edhe protesta e sotme e organizuar nga partitë opozitare dhe aktivistë të shoqërisë civile është përfshirë nga tensionet, raporton Anadolu. Protesta e organizuar para selisë së Bashkisë së Tiranës pranë Sheshit "Skënderbej" u shoqërua nga tensionet dhe përplasjet me policinë, pasi protestuesit hodhën molotovë, tymuese dhe sende të tjera ndaj selisë së bashkisë, duke shkaktuar edhe zjarr.Protesta është organizuar me thirrjen e përfaqësuesve të partive opozitare, Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe Partisë së Lirisë, si dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile, ndërkohë organizatorët kanë paralajmëruar vazhdimit e protestave.

 

Gjatë organizimit të protestës u angazhuan dhjetëra forca policore, ndërsa u vendos edhe gardhi metalik për të penguar protestuesit që të hyjnë në ambientet e bashkisë.

 

Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, ndërkohë pjesë e protestës ishin edhe deputetë dhe përfaqësues të tjerë të partive opozitare.

 

Në Shqipëri janë organizuar në javët e fundit protesta për të “denoncuar rastet e korrupsionit në Bashkinë e Tiranës”, ku janë shoqëruar edhe me tensione.

 

Protestat organizohen pas arrestimit në fund të muajit mars të këtij viti të disa ish-zyrtarëve të Bashkisë së Tiranës, të akuzuar për veprat penale "Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike" dhe "Refuzimi për deklarimin, mos deklarimi, fshehja ose deklarimi i rreme i pasurive"./AA

XS
SM
MD
LG