Mjek me motor për urgjencat, Brataj: Shkurton kohën e mbërritjes tek pacienti
4 motor urgjence janë bërë pjesë e flotës së Shërbimit të Urgjencës Kombëtare. Në një intervistë për Euronews Albania, drejtori i kësaj Urgjence, Skënder Brataj, bën me dije se këto mjete do të ndihmojnë në shkurtimin e kohës së mbërritjes tek pacienti, veçanërisht në rastet kur kodi është i kuq.
Vënia në funksion e motomedikës, pritet të rris edhe efektivitetin e punës së mjekut.
“Shfrytëzimi I mjekut është me një efikasitet më të lartë, sepse mjeku bën vizitën dhe nqs pacienti duhet të transportohet në spital por ska nevojë për shoqërim nga mjeku shoqërohet në autoambulancë me infermier, ku mjek vazhdon vizitat e tjera”, tha Skënder Brataj, drejtori i Urgjencës Kombëtare.
Ndryshe nga autoambulanca, motorët nuk do të kenë drejtues të posaçëm.
“Ky mjet do të ketë mjek dhe infermier. I vetmi ndryshim është që duhet ta nis mjeku ose infermieri vetë motorin. Ne po përgatisim me patenta përkatëse personel që ka shfaqur dëshirën”, tha Brataj.
Motori i Urgjencës, apo motomedika, është i pajisur me të gjitha mjetet e nevojshme, nga defibrilatori e deri tek sinjalet e urgjencës që njoftojnë për rëndësinë e rastit ku personeli mjeksor është nisur./EN