Lidhje


Shqipëri: Rreth 60 për qind e patundshmërive janë blerë me kredi

Rreth 60 për qind e totalit të pronave për banim dhe e atyre për përdorim tregtar të shitura prej agjentëve në 6-mujorin e dytë të vitit 2023 në Shqipëri janë blerë me hua bankare. Nga këto, në 60 për qind të rasteve, kredia ka mbuluar deri në 60 për qind të vlerës.

 

Banka e Shqipërisë publikoi dje Vrojtimin mbi Stabilitetin Financiar për Pasuritë e Paluajtshme, sipas të cilit, numri total i pronave të shitura ishte 1.169 dhe ky numër ishte pothuajse i njëjtë me atë të gjashtëmujorit të parë të vitit. Numri mesatar i pronave të shitura për subjekt mbeti i pandryshuar, në 7.

 

Sipas të dhënave, koha mesatare e shitjes së banesave në shkallë vendi është rritur lehtë në mesatarisht 10,9 muaj.

 

Në rastin e Tiranës, koha mesatare e shitjes ka rënë ndjeshëm në 8,3, nga 10,5 muaj. Koha mesatare për shitjet në zonat bregdetare u rrit lehtë në 10,9 muaj, ndërsa për zonat e tjera kohëzgjatja e shitjes ishte dukshëm më e lartë sesa në gjashtëmujorin e kaluar, duke shënuar 13,6 muaj nga 10,9 muaj.

 

Referuar vrojtimit, agjentët raportojnë rritje të kërkesës për qiramarrje, si për banesa, ashtu edhe për prona tregtare, si dhe çmimet e qirasë kanë shënuar rritje. Aktiviteti i dhënies dhe marrjes së pronave me qira është i përqendruar në rajonin e kryeqytetit dhe veçanërisht në zonën e qendrës.

 

Për gjashtëmujorin e ardhshëm, agjentët presin rritje të çmimeve dhe rritje të numrit të pronave të regjistruara për shitje.

 

Agjentët janë optimistë për ecurinë e tregut të pasurive të paluajtshme në territorin ku ata veprojnë, për të ardhmen afatshkurtër dhe afatgjatë (deri në dy vjet). Po ashtu, ata shprehen optimistë për të ardhmen e këtij tregu në gjithë territorin e vendit, citon vrojtimi i BSh-së.

 

Pyetësori për tregun e pasurive të paluajtshme u hodh në terren në muajin nëntor të vitit 2023.

 

Kampioni përmbante 230 shoqëri ndërtimi dhe agjentësh të tregtimit të pasurive të paluajtshme, të cilët përfaqësojnë rreth 75-80 për qind të popullatës së përgjithshme, sipas një përzgjedhjeje të bërë nga INSTAT-i, në bazë të numrit të të punësuarve dhe vlerës së xhiros vjetore. Pyetësori është plotësuar nga 168 subjekte ose nga 73 për qind e kampionit.

 

TRT Balkan / agjencitë
XS
SM
MD
LG