BE do caktojë takim të Këshillit të Asociimit BE-Izrael për të shqyrtuar detyrimet e Izraelit për të drejtat e njeriut
Këshilli i Bashkimit Evropian (BE) njoftoi se do të thërrasë një takim të Këshillit të Asociimit BE-Izrael për të shqyrtuar nëse Izraeli, si anëtar i organit kryesor që mbikëqyr marrëdhëniet midis BE-së dhe Tel Avivit, ka përmbushur detyrimet e tij për të drejtat e njeriut, transmeton Anadolu.
"Me Josep Borrell dhe Këshillin e BE-së, ne kemi vendosur të mbledhim një takim të Këshillit të Asociimit BE-Izrael për të vlerësuar pajtueshmërinë me Marrëveshjen e Asociimit, e cila përmban detyrime për respektimin e të drejtave të njeriut. Ky është një sinjal i fortë", tha në X ministrja e Jashtme belge, Hadja Lahbib.
Deklarata u lëshua pas sulmit të djeshëm ajror të Izraelit mbi tendat që strehonin njerëz të zhvendosur në qytetin Rafah, sulm të cilin komuniteti global e quajti "veprim të pamëshirshëm, veprim gjenocidal të qëllimshëm".
Të paktën 45 persona, kryesisht gra dhe fëmijë, u vranë dhe rreth 250 të tjerë u plagosën në një sulm izraelit në një kamp për personat e zhvendosur në Rafah.
"Ne duhet të sigurojmë që rregullat dhe vlerat tona të respektohen nga të gjithë, dhe mbi të gjitha nga partnerët tanë si Izraeli. Besueshmëria jonë varet nga kjo", shtoi Lahbib.
Marrëveshja e Asociimit BE-Izrael, e nënshkruar në vitin 2000, shërben si bazë për marrëdhëniet dypalëshe të BE-së dhe Izraelit, duke inkurajuar dialogun politik, bashkëpunimin ekonomik dhe shkëmbimet kulturore.
Marrëveshja gjithashtu përfshin dispozita të qarta në lidhje me mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe parimet demokratike./AA