Lidhje


Gjykata e Islamabadit anulon dënimin e Imran Khan për zbulimin e sekreteve shtetërore

I ashtuquajturi rast "cyfer" i përket një kabllogrami diplomatik që Khan thotë se vërteton pretendimin se largimi i tij nga pushteti në prill 2022 ishte një komplot. Gjykata e krijuar sipas Aktit të Sekreteve Zyrtare e shpalli Khan fajtor për keqpërdorimin e kabllogramit konfidencial të dërguar nga një ish-ambasador pakistanez në Shtetet e Bashkuara.

 

Khan e ka mohuar vazhdimisht akuzën, duke thënë se dokumenti përmbante prova se largimi i tij nga posti i kryeministrit ishte një komplot i krijuar nga kundërshtarët e tij politikë dhe ushtria e fuqishme e vendit, me ndihmën e administratës amerikane. Uashingtoni dhe ushtria pakistaneze e hedhin poshtë akuzën.

 

Khan, një ish-yll i kriketit, ishte kryeministri i Pakistanit nga gushti 2018 deri në prill 2022, kur humbi për shkak të një votbesimi  në parlament. Ai ka qenë në burg që nga gushti i vitit të kaluar, duke u përballur me gjyqe në shumë raste.

 

Megjithatë, pavarësisht se Gjykata e Lartë e Islamabadit e shpalli të pavlefshëm dënimin, Khan vazhdon të qëndrojë pas hekurave për shkak të dënimit të tij në një çështje tjetër. Më 3 shkurt, Khan dhe gruaja e tij Bushra Bibi u dënuan me shtatë vjet burg kur një gjykatë në Rawalpindi deklaroi se martesa e tyre në vitin 2018 shkelte ligjin islamik.

 


Sayed Zulfiqar Bukhari, një udhëheqës i lartë i partisë Pakistani Tehreek-e-Insaf (PTI) të Khanit, tha se vendimi i gjykatës së Islamabadit ishte provë se problemet ligjore të ish-kryeministrit ishin rezultat i rasteve të sajuara që në fillim.

 

“Gjykata jo vetëm që e ka lënë mënjanë këtë çështje, por gjithashtu ka vërtetuar se ishte një shembull tjetër i të gjitha akuzave joserioze kundër ish-kryeministrit Khan dhe një nga një, të gjitha këto akuza së shpejti do të shpërbëhen”, tha ai për Al Jazeera.

XS
SM
MD
LG