Lidhje


Shqipëria ka 130 mijë ndërmarrje aktive! Rritet prezenca e bizneseve të huaja, kryesisht me pronarë italian

Numri i bizneseve në Shqipëri është rritur me 4.1% përgjatë vitit të kaluar. Instituti i Statistikave raporton se në fund të vitit 2023, ishin 130.338 ndërmarrje ekonomike aktive përjashtuar fermerët. Ndërkohë numri i ndërmarrjeve aktive në fund të vitit 2022 përllogaritej në 125.222 subjekte. Vetëm vitin e kaluar janë regjistruar 13.636 ndërmarrje të reja. 

Për shkak edhe të bumit të madh turistik dhe shtimit të konsumit, ekonomia e vendit po orientohet më shumë drejt bizneseve të shërbimeve, si në akomodim ashtu edhe në tregti me shumicë e pakicë.

 

Pjesa më e madhe e ndërmarrjeve është e përqendruar në prodhimin e shërbimeve, kryesisht tregtia me shumicë, me pakicë dhe riparimi i automjeteve.

 

“Në grupin “Prodhues të shërbimeve” operojnë 86,2% e ndërmarrjeve aktive duke realizuar 65,9% të xhiros vjetore. Në këtë grup ndërmarrjesh, rolin kryesor e luan tregtia. Të punësuarit gjithsej në tregti zënë 19,1% të numrit të të punësuarve gjithsej. Ndërmarrjet me aktivitet tregtar numërojnë 25,6% ndaj totalit të ndërmarrjeve të regjistruara gjatë vitit 2023. Aktiviteti tregtar realizon edhe xhiron vjetore më të madhe në ekonomi, me 40,8%. Rreth 85,9% e ndërmarrjeve janë ndërmarrje të vogla me 1-4 të punësuar dhe kontributi i tyre llogaritet në 22,6% në punësim dhe 20,2% në realizimin e xhiros vjetore. Ndërmarrjet me 50 e më shumë të punësuar përfaqësojnë 1,6% të totalit të ndërmarrje, punësojnë 50,0% të të punësuarve gjithsej, dhe realizojnë 45,3% të totalit vjetor të xhiros”, thotë INSTAT.

 

Numri më i madh i bizneseve është përqendruar në Tiranë e Durrës. 

 

“Në qarqet Tiranë, Durrës e Vlorë janë përqendruar rreth 65,6% e ndërmarrjeve. Numri më i madh i ndërmarrjeve shënohet në qarkun e Tiranës me 61.602 ndërmarrje, ndërsa numri më i vogël në qarkun e Kukësit me 1.408 ndërmarrje. Mbizotërimi i grupit të prodhuesve të shërbimeve është dukuri në të gjitha qarqet. Në qarqet Tiranë dhe Durrës janë përqendruar 58,2% e grupit të prodhuesve të shërbimeve”, thotë INSTAT.

 

Aktualisht në vend operojnë 6.938 ndërmarrje të huaja ose me bashkëpronar shqiptar, nga ku 43,6% e tyre janë me origjinë nga Italia, 7,5% nga Kosova dhe 5,8% nga Turqia.

 

Në total biznese aktive me pronar Italian janë 3026, e që janë të përqendruar kryesisht në sektorin e shërbimeve dhe prodhimit të mirave. Në total ndërmarrjet e huaja italiane zënë 44% të totalit të bizneseve të huaja që operojnë aktualisht në vend.

 

“Ndërmarrjet e huaja e të përbashkëta Ndërmarrjet me pronarë apo bashkëpronarë të huaj zënë 5,3% të ndërmarrjeve gjithsej dhe punësojnë 12,8% të të punësuarve gjithsej. Ndërmarrjet nga vendet Bashkimit Evropian përfaqësojnë 63,1% të ndërmarrjeve të huaja e të përbashkëta. Pronarët apo bashkëpronarët me origjinë italiane dhe greke përfaqësojnë 48,4% të ndërmarrjeve të huaja e të përbashkëta gjithsej. Ndërmarrjet e huaja e të përbashkëta janë përqendruar kryesisht në bashkitë Tiranë, Durrës, Vlorë, përkatësisht me 65,6%, 10,8% dhe 4,4%”, vijon më tej raporti.

 

 

/shqiptarja.com

XS
SM
MD
LG