"Nuk kishte paralajmërim, vetëm bomba": Dëshmi tronditëse nga masakra në kampin Nuseirat të Gazës
GAZA (AA) - “Ishte si një ditë apokaliptike; të gjithë po iknin dhe rrugët u mbushën me trupa”. Kështu e përshkroi Umm Islam al-Assar, një grua palestineze, situatën në kampin e refugjatëve Nuseirat pas një sulmi vdekjeprurës izraelit, raporton Anadolu.
Assar ishte e ulur pranë mbesës së saj në Spitalin e Dëshmorëve Al-Aksa për kujdes mjekësor pasi mbesa e saj u plagos rëndë në sulm.“Ajo që ndodhi ishte krejtësisht e papritur”. kujtoi Assar. “Papritmas, dëgjuam shpërthime kudo, me të shtëna me dron që synonin të gjithë”, u shpreh ajo.
Me tronditje dhe pikëllim të dukshëm në fytyrën e saj të zbehtë, gruaja palestineze tha: “Nuk kishte asnjë paralajmërim apo alarm. Ushtria izraelite papritmas filloi bombardimet dhe të shtënat nëpër shtëpi. Shtëpia e vëllait tim u shemb mbi gruan dhe gjashtë vajzat e tij. Njerëzit vrapuan në rrugë, duke mos ditur se çfarë po ndodhte”.
Dy nga mbesat e saj u vranë dhe katër të tjerët dhe nëna e tyre u plagosën në sulm.
Të paktën 274 persona u vranë dhe 700 të tjerë u plagosën në sulmin izraelit, i cili përkoi me një operacion izraelit për të shpëtuar katër pengje të mbajtur nga Hamasi në kampin në pjesën qendrore të Rripit të Gazës.
- “Masakër e tmerrshme”
Assar bëri thirrje për mbrojtjen e civilëve dhe fëmijëve nga bombardimet brutale izraelite në Gaza.
“Çfarë bëri ky fëmijë, motrat e saj dhe nëna e tyre për ta merituar këtë? Ata nuk kishin pjesë në asgjë. Pse u shënjestruan në një mënyrë kaq të tmerrshme?”, pyeti ajo.
Duke qëndruar afër, motra e saj, e quajtur gjithashtu Umm Islam, kujtoi sulmin vdekjeprurës izraelit në kampin e mbushur me njerëz.
“Papritmas, bota u kthye përmbys, me dëshmorë në tokë, me të pafajshëm, të rinj dhe të moshuar, që u plagosën”, tha Umm Islam.
“Çfarë kanë bërë të gjithë këta dëshmorë dhe të plagosur për ta merituar këtë luftë? Çfarë bënë ata për t’u përballur me një masakër kaq të tmerrshme?”, shtoi ajo.
- Fushë beteje
Një dëshmitar, i cili u plagos në sulmin izraelit, ndau dëshminë e tij në një video të shpërndarë në rrjetet sociale.
“Po ecja në rrugë dhe pashë një kamion të parkuar të mbushur me vegla dhe mjete. Ne menduam se i përkiste njerëzve të zhvendosur që vinin nga Rafah”, tha ai.
“Papritur, dhjetë ushtarë të forcave speciale izraelite dolën nga kamioni dhe filluan të qëllonin, duke më goditur me tri plumba në gjoks dhe krah”, shtoi ai.
Dëshmitari e përshkroi zonën e pazarit në Nuseirat si të mbushur me shpërthime, me njerëz të vdekur dhe të plagosur në tokë kudo.
Të shtunën, burimet palestineze raportuan se forcat speciale izraelite depërtuan në kampin Nuseirat duke përdorur një kamion të ngjashëm me atë të përdorur për dërgimin e ndihmave humanitare.
Disa orë pas sulmit, zëdhënësi i ushtrisë izraelite Avichay Adraee pohoi në X se forcat speciale nuk hynë në Nuseirat duke përdorur një kamion ndihme dhe as përdorën portin lundrues të SHBA-së gjatë operacionit, pavarësisht konfirmimit të CNN-it për përfshirjen amerikane në sulm.
Izraeli ka vazhduar ofensivën e tij brutale në Gaza që nga sulmi i 7 tetorit nga grupi palestinez Hamas, pavarësisht nga një rezolutë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon armëpushim të menjëhershëm.
Më shumë se 37.120 palestinezë janë vrarë që atëherë në Gaza, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, dhe mbi 84.700 të tjerë janë plagosur, sipas autoriteteve lokale shëndetësore.
Tetë muaj pas fillimit të luftës izraelite, pjesë të mëdha të Gazës janë në gërmadha, krahas një bllokade gjymtuese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në vendimin e saj të fundit urdhëroi Tel Avivin të ndalojë menjëherë operacionin e tij në qytetin jugor të Rafahut, ku mbi një milion palestinezë kishin kërkuar strehim nga lufta përpara se të pushtohej më 6 maj./AA