Projekti “Smart City”, 20 qytete në monitorim 24 orë. Instalohen kamera inteligjente
Thursday, 13 June 2024 23:58
20 qytete të vendit do të monitorohen 24 orë nga kamerat inteligjente. Deri më tani janë instaluar në 5 prej tyre.
Në Tiranë, Kamëz, Lezhë, Vlorë dhe Rrëshen janë vendosur kamerat, ndërsa në ditët në vijim do të instalohen në Durrës, Krujë, Laç, Kukës, Peshkopi, Shkodër, Kavajë, Elbasan, Lushnje, Korçë, Pogradec, Fier, Berat, Gjirokastër dhe Sarandë.
Përmes këtyre pajisjeve të cilat janë me rezolucion të lartë synohet që të goditen grupet kriminale, të rritet siguria, identifikimi i personave të dyshuar si dhe monitorimi i trafikut rrugor.
Për ekspertët e sigurisë një vendim i tillë cilësohet shkelje e të drejtave të njeriut.
Nga ana tjetër informacionet që do të sigurohen mund të përdoren nga bandat kriminale përmes lidhjeve që kanë me uniformat blu, pavarësisht se aktualisht policia ka hyrë në një fazë vetëpastrim.
Projekti “Smart City” në total do të kushtojë 60 milionë euro, ku një pjesë e vlerës do të financohet nga Emiratet e Bashkuara Arabe./EN