Lidhje


Luftanije ruse në Kubë për manovra të përbashkëta

Një flotë e vogël anijesh luftarake ruse ndodhet në ujërat kubane për manovra të përbashkëta me forcat e armatosura të Kubës. Moska dhe Havana thonë se manovrat nuk paraqesin ndonjë kërcënim për rajonin, por, siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Ricardo Marquina, Perëndimi po i ndjek ato me kujdes të shtuar. 

Anijet e marinës ruse, fregata Gorshkov dhe nëndetësja bërthamore Kazan, hyjnë në portin e Havanës.Ministria ruse e Mbrojtjes thotë se ato nuk kanë armë bërthamore dhe se vizita nuk përbën kërcënim për askënd.Vëzhguesit e shohin këtë si një përpjekje të Kremlinit për t’i treguar botës se Rusia ka aleatë në Amerikën Latine.

 

“Sulmit në shkallë të gjerë kundër Ukrainës më 2022,Rusia po i shton një provokim të ri, një shfaqje të muskujve për të treguar se Rusia nuk është vetëm, nuk është e izoluar në komunitetin ndërkombëtar dhe se ende mund të veprojë ushtarakisht me fuqi të tjera, të demonstrojë praninë, forcën dhe dislokimet”, thotë Mathieu Boulegue nga organizata Chatham House.

 

Por, në një periudhë tensionesh mes Rusisë dhe Perëndimit, Uashingtoni nuk e sheh këtë si një vizitë rutinë. Vëzhguesit po e ndjekin me kujdes, sidomos pas miratimit nga Presidenti Joe Biden i përdorimit të armëve amerikane nga Ukraina kundër objektivave brenda territorit rus.

 

Disa analistë perëndimorë të sigurisë thonë se në çdo rast, kërcënimi fizik i flotës ruse në këto ujëra është minimal.

 

“Aftësia e marinës ruse për të sfiduar marinën amerikane, veçanërisht nga kjo distancë, është jashtëzakonisht e kufizuar në çdo lloj konteksti luftarak”, thotë Sidharth Kaushal nga Instituti Mbretëror i Shërbimeve të Bashkuara.

 

Mbërritja e luftanijeve ruse në Havanë, sjell në kujtesë krizën e raketave në Kubë të vitit 1962, kur Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Sovjetik ishin në prag të një konfrontimi bërthamor.

 

“Ishim më afër se kurrë për ta hedhur botën në erë, sepse Shtetet e Bashkuara nuk ishin në dijeni se sovjetikët sollën në ishull mbushjet për raketat bërthamore”, thotë Philip Brenner nga Universiteti Amerikan.

 

Analistët mendojnë se më shumë sesa një shfaqje force, kjo është një përpjekje e Moskës për të dërguar mesazhin se përballë izolimit në rritje, ajo ende ka miq në skajet e largëta të botës./VOA

 

XS
SM
MD
LG