Rusia mbështet idenë e Turqisë lidhur me platformën e paqes për Ukrainën
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se mbështesin idenë e Türkiyes lidhur me krijimin e një platforme paqeje për zgjidhjen e krizës së Ukrainës, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë për gazetarët në Moskë, Peskov komentoi deklaratën e ministrit të Jashtëm turk, Hakan Fidan se për zgjidhjen e çështjes së Ukrainës nevojitet të krijohet një platformë paqeje.
Ai tha se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin është pro që çështja e Ukrainës të zgjidhjet përmes iniciativave diplomatike. "Asnjëherë nuk kemi hequr dorë nga negociatat. Përkundrazi, kemi qenë pro që negociatat të zhvillohen me pjesëmarrjen e palëve përkatëse. Aktualisht nuk ka një platformë të tillë dhe i bashkohemi mendimit të Fidanit për këtë çështje. Do të ishte mirë nëse do të ekzistonte një platformë e tillë", tha Peskov.
Në fjalimin e tij në takimin jozyrtar të Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Organizatës së Shteteve Turke (TDT) të mbajtur në qytetin Shusha të Azerbajxhanit, Fidan deklaroi: "Si Türkiye mendojmë se përpjekjet në drejtim të paqes së përhershme për t'i dhënë fund luftës, duhet të përhapen në një bazë më të gjerë".
"Duhet të krijohet një platformë paqeje e cila do të parandalojë thellimin e polarizimit, të ketë pjesëmarrje dhe përfaqësim të lartë si dhe të ketë prioritet diplomacinë. Si vende të prekura nga dimensione të ndryshme të luftës, duhet të punojmë së bashku në këtë drejtim me një qasje plotësuese", tha Fidan./AA