Nga frika e arrestimit, Netanyahu anashkalon Evropën në rrugën e tij për në SHBA
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu po shqyrton mundësinë e shmangies së një ndalese në Evropë gjatë rrugës për në SHBA për shkak të frikës se Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) është gati të lëshojë një urdhër arresti kundër tij për krimet e ushtrisë izraelite në Gaza, transmeton Anadolu.
Është planifikuar që Netanyahu të udhëtojë në SHBA dhe të mbajë një fjalim para Kongresit Amerikan më 24 korrik. Ai pritet të takohet me presidentin amerikan Joe Biden në Shtëpinë e Bardhë.
Më 20 maj, prokurori i GJNP-së, Karim Khan, kërkoi urdhra arresti për Netanyahun dhe ministrin izraelit të Mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Rripin e Gazës. Khan kërkoi urdhra arresti për tre nga udhëheqësit më të lartë të grupit Hamas, përfshirë kreun Ismail Haniyeh.
Transmetuesi publik izraelit KAN tha se Zyra e Netanyahut shqyrtoi çështjen e ndalimit në Evropë gjatë rrugës së tij për në Washington pasi avioni i tij, i njohur si "Wing of Sion", nuk është në gjendje të kryejë një fluturim transatlantik duke mbajtur një ngarkesë të plotë të pasagjerëve.
Sipas transmetuesit izraelit KAN, Zyra e Netanyahut shqyrtoi opsionin për të pasur një ndalesë në Çeki ose Hungari, pasi këto dy vende konsiderohen si miq të Izraelit dhe i quajti kërkesat e GJNP-së "të papranueshme". Megjithatë, KAN vuri në dukje se Zyra e Netanyahut në fund vendosi të shkonte për një fluturim direkt në Washington me një numër të kufizuar pasagjerësh në bord.
Teksa SHBA-ja nuk është anëtare e GJNP-së, pranimi i Netanyahut pavarësisht një urdhër arresti ndërkombëtar mund ta ekspozojë atë ndaj kritikave. Izraeli gjithashtu nuk është anëtar i gjykatës ndërsa Palestina u pranua si anëtare në vitin 2015.
GJNP, e themeluar në vitin 2002, është një organ i pavarur ndërkombëtar që nuk është i lidhur me Kombet e Bashkuara apo ndonjë institucion tjetër ndërkombëtar dhe vendimet e tij janë të detyrueshme.
Duke shkelur rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon armëpushim të menjëhershëm, Izraeli është përballur me reagimin ndërkombëtar në mes të ofensivës brutale të vazhdueshme në Gaza që nga sulmi i 7 tetorit nga grupi palestinez Hamas.
Të paktën 38.200 palestinezë janë vrarë që atëherë, kryesisht gra dhe fëmijë si dhe rreth 88 mijë të tjerë janë plagosur. Nëntë muaj pas luftës izraelite, pjesë të mëdha të Gazës janë kthyer në gërmadha mes një bllokade gjymtuese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), vendimi i fundit i së cilës e urdhëroi Tel Avivin të ndalojë menjëherë operacionin ushtarak në qytetin jugor Rafah, ku mbi 1 milion palestinezë kanë kërkuar strehim nga lufta përpara se qyteti të pushtohej më 6 maj./AA