Lidhje


Biden: Aleatët e NATO-s me "donacion historik" të mbrojtjes ajrore për Ukrainën

Aleatët e NATO-s janë mbledhur prapa Ukrainës për t'i siguruar vendit dhjetëra sisteme të reja të mbrojtjes ajrore gjatë muajve të ardhshëm për të ndihmuar në parandalimin e sulmeve të vazhdueshme ajrore ruse, tha të martën presidenti amerikan Joe Biden, raporton Anadolu.

 

"Donacioni historik i pajisjeve të mbrojtjes ajrore për Ukrainën do të përfshijë kontribute nga Gjermania, Italia, Holanda, Rumania dhe SHBA-ja", tha Biden gjatë një ceremonie me rastin e 75-vjetorit të NATO-s dhe fillimit të samitit triditor të aleancës në Washington.

 

Gjermania, Rumania dhe SHBA-ja së bashku do t'i sigurojnë Ukrainës bateri shtesë "Patriot" ndërsa Holanda dhe "partnerët e tjerë" do të dërgojnë atë që në një deklaratë të përbashkët të liderëve u përshkrua si "komponentë shtesë për Patriot". Italia do të dërgojë një sistem shtesë SAMP-T. Gjithsej 5 sisteme do të kontribuohen në këtë kuadër.

 

"Në muajt e ardhshëm, SHBA-ja dhe aleatët e saj të NATO-s do t'i dërgojnë Ukrainës dhjetëra sisteme shtesë taktike të mbrojtjes ajrore", tha Biden.

 

Ato përfshijnë sistemet NASAMS, HAWKs, IRIS T-SLM, IRIS T-SLS dhe Gepard.

 

Presidenti amerikan iu referua gjithashtu një njoftimi të mëparshëm që do të ndalojë eksportet e qindra municioneve përgjuese të mbrojtjes ajrore te aleatët dhe partnerët e tjerë dhe do t'i ridrejtojë ato në Kiev.

 

Biden pohoi se Rusia po "dështon" në atë që ai e quajti "luftën e saj të zgjedhur" kundër Ukrainës, duke thënë se në më shumë se dy vjet të konfliktit, më shumë se 350 mijë trupa janë vrarë ose plagosur. Gati 1 milion rusë të tjerë janë larguar nga vendi "sepse nuk shohin më të ardhme në Rusi", shtoi ai./AA

XS
SM
MD
LG