Jugu shtrenjtohet me 25-30% këtë vit, akomodimi fillon nga 60 deri në 600 euro në natë
Pushimet në Jug këtë vit janë më të shtrenjta se asnjëherë. Vlora, Saranda dhe zonat përreth tyre po përballen me një rritje të ndjeshme si te strukturat akomoduese ashtu dhe baret e restorantet.
Sipas një vëzhgimi nga Revista Monitor, çmimet në strukturat akomoduese si shtëpitë me qira ditore dhe hotelet janë rritur me 25-30%.Kjo rritje është konfirmuar edhe nga operatorët e tregut, të cilët deklarojnë se të gjitha çmimet, si të akomodimit ashtu dhe të ushqimeve e bar-restoranteve janë së paku 20% më të shtrenjta se një vit më parë.
Operatorët turistikë shpjegojnë se në fillim të sezonit, kërkesa e lartë çoi në rritje të çmimeve, një tendencë që u vlerësua si normale për sa kohë që nxitej nga fluksi i lartë i turistëve.
Megjithatë, më vonë me afrimin e verës u vërejt një rritje tjetër e çmimeve në pritje të një numri të lartë turistësh, që realisht nuk po ndodh.
Ka më shumë turistë të huaj se një vit më parë, por gjithsesi jo aq shumë sa pritej, nisur nga tendenca e fillim vitit.
Kjo rritje e dytë e çmimeve nga operatorët turistikë konsiderohet disi spekulative e nxitur nga etja për fitime të shpejta, që nga ana tjetër po largon turistët, sidomos ata vendas./oranews