Dokumenti sekret: Gjermania korridor për NATO-n në rast të një lufte me Rusinë
Gjermania është duke përpunuar plane për të siguruar që qindra mijëra trupa të mund të lëvizin përgjatë një autostrade që kalon tranzit në pjesën më të madhe të vendit në rast të një lufte me Rusinë, kanë raportuar mediat gjermane.
Dokumenti thuhet se parashikon që Gjermania të shërbejë si shtet tranzit për trupat e NATO-s, ndërsa popullata dhe shërbimet civile mund të asistojnë personelin ushtarak të huaj.
Der Spiegel duke cituar një “dokument sekret” shkruan se Berlini pret që rreth 800,000 trupa gjermane dhe aleate të NATO-s të përdorin portet, autostradat dhe hekurudhat e saj për t’u nisur drejt lindjes, nëse tensionohet përballja e Perëndimit me Rusinë. Forca e kundërpërgjigjes perëndimore do të duhej të vendosej – së bashku me një numër të madh armësh, pajisje të tjera dhe rreth 200,000 automjete – brenda tre deri në gjashtë muaj, shkruan gazeta.
Planet po bëhen për të strehuar, rifurnizuar dhe ushqyer qindra mijëra trupa aleate që kalojnë nëpër Gjermani. Kolonat, raportoi Der Spiegel, do të kenë mundësinë të ndalojnë për furnizime dhe të pushojnë çdo 300 deri në 500 metra. Një përpjekje e tillë gjigante logjistike mund të kërkojë kompetenca të reja për Policinë Federale të Gjermanisë, vuri në dukje raporti.
Në qershor, The Telegraph raportoi se NATO po zgjeron planet për disa “korridore” tokësore përmes të cilave do të lëvizë trupat dhe pajisjet – duke përfshirë ato amerikane – të nevojshme për një luftë hipotetike të ardhshme me Rusinë. Ndër rrugët e planifikuara do të jenë ato që shkojnë nga Italia në Slloveni, Kroaci dhe Hungari, si dhe rrugët nëpërmjet Turqisë, Greqisë, Bullgarisë, Rumanisë dhe Skandinavisë. Zyrtarët gjermanë kanë qenë ndër liderët aleatë që paralajmërojnë se një konflikt i drejtpërdrejtë me Rusinë është gjithnjë e më i mundshëm në dekadën e ardhshme./EN