Kryediplomati i BE-së kundërshton përpjekjet për të etiketuar UNRWA-në si "organizatë ter'roriste"
Shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell përsëriti refuzimin e bllokut për etiketimin e agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA) si një “organizatë terroriste”, raporton Anadolu.“Ne hedhim poshtë çdo përpjekje për të etiketuar UNRWA-në si një ‘organizatë terroriste’. Si mund të konsiderohet një agjenci e Kombeve të Bashkuara organizatë terroriste?”, tha Borrell në një konferencë të përbashkët shtypi me ministrin e jashtëm jordanez Ayman Safadi në Bruksel në margjinat e takimit të 15-të të Këshillit të Asociimit BE-Jordan.
Ai tha se BE-ja së bashku me donatorët e tjerë ndërkombëtarë do të vazhdojnë të mbështesin dhe financojnë UNRWA-në.
“Ne ramë dakord se është thelbësore të ruhet roli i pazëvendësueshëm i UNRWA-së në gjithë rajonin, sigurisht duke përfshirë Jordaninë”, tha Borrell.
Në fund të majit, Knesseti (parlamenti i Izraelit) kaloi një mocion paraprak për të miratuar një projekt-ligj që përcakton UNRWA-në si “organizatë terroriste”.
Projektligji mandaton gjithashtu që “Ligji i Antiterrorizmit” të zbatohet për agjencinë e OKB-së dhe të ndërpresë të gjitha komunikimet dhe marrëdhëniet midis Izraelit dhe agjencisë.
Izraeli ka lobuar shumë që UNRWA të mbyllet pasi është e vetmja agjenci e OKB-së që ka mandat specifik për t’u kujdesur për nevojat themelore të refugjatëve palestinezë.
UNRWA u krijua me një rezolutë të OKB-së në vitin 1949 dhe është e mandatuar për të ofruar ndihmë dhe mbrojtje për refugjatët në pesë fushat e saj të veprimit: Jordani, Siri, Liban, Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës./Mesazhi