VOA: Shqipëria nuk ka kapacitete dhe mjete për të shuar flakët
Zjarret në sipërfaqet pyjore prej disa javësh vazhdojnë të djegin me qindra hektarë me pyje dhe kullota në një pjesë të territorit të Shqipërisë. Sipas Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, zonat më të prekura deri tani janë Njësitë Administrative të Qarqeve Dibër, Gjirokastër, Vlorë dhe Shkodër.
Prej disa javësh forca dhe mjete të shumta të njësive zjarrfikëse, të mbështetura edhe nga forcat e ushtrisë dhe dy helikopterë po luftojnë për shuarjen e vatrave të zjarrit, të cilat, në disa raste, i janë afruar edhe zonave të banuara.
Në pjesën më të madhe, vatrat e zjarreve janë shuar, por aktualisht situata është përqendruar në Qarkun e Dibrës, ku temperaturat e ditëve të fundit arritën nivelin maksimal, me 43 gradë, duke rritur rrezikun e shfaqjes së vatrave të reja të zjarrit.
Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile njoftoi sot se, në të gjithë territorin e vendit janë aktive 7 vatra zjarri. Situata është më problematike në fshatin Pregj-Lurë të bashkisë Dibër, ku helikopteri i Forcave të Armatosura i është bashkuar operacionit për të penguar përhapjen e flakëve në drejtim të fshatit.
Në bashkinë Pukë pati sot dy vatra zjarri të reja, në fshatin Rras dhe një tjetër në fshatin Kuzhnen, ndërsa në bashkinë Fushë-Arrës forcat zjarrfikëse u përfshinë sot në shuarjen e një vatre zjarri në fshatin Sakat. Vatra zjarri u regjistruan sot edhe në bashkinë e Kolonjës, atë të Gjirokastrës dhe Tepelenës.
Zjarret e shfaqura tre javët e fundit, në sipërfaqet pyjore, paraqitën vështirësi për shuarjen e tyre, ndaj më 13 korrik Shqipëria kërkoi aktivizimin e Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së, i cili dërgoi dy avionë zjarrfikës për luftimin e vatrave të zjarreve kryesisht në zonën e Gjirokastrës.
Shqipëria ka rreth 36 për qind të territorit të saj me pyje dhe kullota dhe ndryshimet klimatike të viteve të fundit kanë rritur rrezikun e shtimit të zjarreve në pyje. Çdo vit regjistrohen më shumë se 200 vatra zjarri në pyje dhe kullota, duke i sjellë një dëm të konsiderueshëm ekonomisë së vendit dhe mjedisit natyror.
Kapacitetet e Shqipërisë për shuarjen e zjarreve në sipërfaqet pyjore, sidomos në zonat e thella malore, janë të kufizuara. Shërbimi zjarrfikës ka vetëm 147 automjete zjarrfikëse, pjesa më e madhe të vjetruara, dhe rreth 1300 punonjës, por asnjë avion zjarrfikës./VOA