Me leje në Strasburg, Fredi Beleri bën lëvizjen e radhës për të fituar lirinë
Pa u rikthyer ende në burgun e Fierit ku do të duhet të kaloj në qeli muajt e mbetur nga dënimi me dy vite burg për akuzën e “korrupsionit në zgjedhje”, Alfred Beleri ka bërë lëvizjen e radhës për të fituar lirinë.
Europarlamentari më i ri grek i është drejtuar me një kërkesë Gjykatës së Fierit duke kërkuar lirim me kusht.Seanca e parë për të shqyrtuar këtë kërkesë të Belerit është realizuar në 17 korrik, por është shtyrë për shkak të mungesës së juristit të burgut të Fierit. Ky i fundit nuk është paraqitur në gjyq edhe pse ka pasur dijeni për orën dhe datën e gjyqit.
Referuar edhe kohës së paraburgimit, Belerit i kanë mbetur edhe rreth 2.5 muaj burg nga masa e dënimit, ndërsa aktualisht ndodhet jashtë hekurave të qelisë duke shfrytëzuar lejen 5 ditore të dhënë nga Komisioni i posaçëm në Drejtorinë e Burgjeve.
Leja në fjalë iu akordua ish-kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës pas kërkesës së palës mbrojtëse për t’i dhënë mundësinë që të betohej më 16 korrik në Parlamentin Europian si eurodeputet nga radhët e partisë qeverisëse greke, “Demokracia e Re”./boldnews