Irani: Nuk duam përshkallëzim të konfliktit, por Izraeli “duhet të ndëshkohet”
Irani nuk po kërkon përshkallëzim të tensioneve rajonale, por beson se Izraeli duhet të ndëshkohet në mënyrë që të parandalohet paqëndrueshmëria e mëtejme.
- Kështu tha më 5 gusht zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, pasi javën e kaluar në Teheran u vra shefi politik i Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – Ismail Haniyeh.
“Irani kërkon që të ketë stabilitet në rajon, por kjo mund të arrihet vetëm me ndëshkimin e agresorit dhe të krijohet parandalim kundër aventurizmit të regjimit zionist [Izraelit]”, tha zëdhënësi Nasser Kanaani, duke shtuar se kundërpërgjigja nga Teherani është e pashmangshme, shkruan REL.
Kanaani i bëri thirrje Uashingtonit që të mos e mbështesë më Izraelin, duke shtuar se komuniteti ndërkombëtar ka dështuar që të mbrojë stabilitetin në rajon dhe duhet të mbështesë “ndëshkimin e agresorit”.
Edhe komandanti kryesor i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, Hossein Salami, sërish tha të hënën se Izraeli “do të ndëshkohet”.
Teherani dhe grupet e lidhura me Iranin, sikurse Hamasi dhe Hezbollahu, kanë akuzuar Izraelin për vrasjen e shefit politik të Hamasit, Ismail Haniyeh. Zyrtarët izraelitë nuk kanë marrë përgjegjësinë për vrasjen/EN