Programi Botëror i Ushqimit ndalon lëvizjen e stafit në Gaza pasi automjeti i tij u sulmua nga forcat izraelite
Programi Botëror i Ushqimit (WFP) njoftoi ndalimin e përkohshëm të lëvizjes së stafit në Gaza pasi automjeti i tij u vu nën zjarr nga forcat izraelite në një pikë kontrolli, transmeton Anadolu.Automjeti i OKB-së që kthehej nga një mision humanitar u godit nga të paktën dhjetë plumba në një pikë izraelite kontrolli pranë urës Wadi Gaza, pavarësisht se ishte i shënuar qartë dhe kishte marrë leje paraprake nga autoritetet izraelite.“Kjo është krejtësisht e papranueshme dhe e fundit në një seri incidentesh të panevojshme sigurie që kanë rrezikuar jetën e ekipit të WFP-së në Gaza”, tha drejtoresha ekzekutive e WFP-së, Cindy McCain, në një deklaratë.
Ajo theksoi se sistemi aktual i dekonfliktit po dështon dhe u bëri thirrje autoriteteve izraelite dhe të gjitha palëve të përfshira që të garantojnë sigurinë e punonjësve të ndihmës.
McCain tha gjithashtu se ky “nuk është incidenti i parë i sigurisë që ndodh gjatë luftës, por është hera e parë që një automjet i WFP-së qëllohet drejtpërdrejt në afërsi të një postblloku, pavarësisht se ka siguruar lejet e nevojshme, sipas protokollit standard”.
Ndërsa asnjë nga anëtarët e stafit nuk është plagosur, WFP-ja theksoi se ky incident nënvizon zvogëlimin e hapësirës humanitare në Rripin e Gazës, ku dhuna në rritje po ndikon rëndë në shpërndarjen e ndihmave vitale.
Më herët, zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric, u tha gazetarëve gjatë një konference për shtyp se incidenti “tregon se sistemet e vendosura për koordinim nuk po funksionojnë”.
Ai denoncoi gjithashtu “retorikën e drejtpërdrejtë” nga zyrtarët izraelitë kundër Kombeve të Bashkuara, UNRWA-së dhe Sekretarit të Përgjithshëm Antonio Guterres, duke paralajmëruar se “fjalët kanë pasoja”./AA