"Sulmi në shkallë të gjerë i Izraelit në Bregun Perëndimor, përpjekje për zbatimin e projektit të aneksimit"
Hamasi deklaroi se sulmi në shkallë të gjerë i nisur nga ushtria izraelite në Bregun Perëndimor i pushtuar është një përpjekje e qeverisë së ekstremit të djathtë të drejtuar nga kryeministri Benjamin Netanyahu për të zbatuar projektin e aneksimit të tokave të Bregut Perëndimor, transmeton Anadolu.Në një deklaratë me shkrim nga Hamasi thuhet se "Operacioni ushtarak në shkallë të gjerë që ushtria izraelite ka nisur në qytetet e Bregut Perëndimor është një përpjekje për zbatimin e planeve të shprehura nga ministrat fashistë të qeverisë sioniste të ekstremit të djathtë dhe zgjerim i luftës brutale gjenocidale që vazhdon në Rripin e Gazës në mënyrë që të përfshijë qytetet dhe kampet e refugjatëve në Bregun Perëndimor".
Sipas deklaratës, Izraeli ka përfshirë një forcë të madhe ushtarake me mjete ajrore pa pilot dhe avionë luftarakë në sulmet e tij në Bregun Perëndimor.
"Vazhdimi i fushatës së shfarosjes kundër palestinezëve në Gaza nga qeveria fashiste pushtuese dhe përshkallëzimi i shkeljeve të saj në Bregun Perëndimor përmes këtij operacioni kriminal, është një pasojë e natyrshme e heshtjes së dyshimtë ndërkombëtare", theksohet në deklaratë.
Pasi tërhiqet vëmendja se SHBA-ja dhe disa vende perëndimore kanë siguruar mbështetje absolute politike dhe ushtarake ndaj Izraelit, më tej në deklaratë theksohet që "Përmes qeverive të njëpasnjëshme fashiste, Izraeli u përpoq për dekada të shtypte rezistencën në Bregun Perëndimor me mjete të ndryshme, por dështoi".
Më tej theksohet se luftëtarët palestinezë të rezistencës kanë luftuar heroikisht kundër forcave izraelite dhe se sulmet brutale të Izraelit në Bregun Perëndimor do të thyhen përballë popullit palestinez dhe rezistencës së tij.
Ishte njoftuar se ushtria izraelite në mëngjesin e sotëm nisi një sulm "në shkallë të gjerë" në disa pjesë të Bregut Perëndimor të pushtuar, veçanërisht në kampin e refugjatëve Al-Fara në qytetin Tubas.
Në sulmet që vazhdojnë, deri më tani kanë humbur jetën të paktën 9 palestinezë dhe janë plagosur 11 të tjerë./AA