Lëvizja në asamble/ Si kuptohet sanksionimi i Veliajt nga Rama?

Kur kamerat me regji qëndrore fiksuan portretin e Erion Veliajt, ndërsa Edi Rama po lexonte drejtuesit e qarqeve, në Asamblenë e PS të dielën, ata që panë vështrimin e përhumbur dhe fytyrën e zbehtë të kryebashkiakut, kanë kuptuar shumë më shumë sesa nga të gjitha komentet që do të dëgjonin më pas.Qarku i Tiranës që përmbledh përpos kryeqytetit edhe Kamzën Vorën e Kavajën, i cili në zgjedhjet e fundit lokale u drejtua nga Veliaj, këtej e tutje do të ndahet në tresh ku, përpos tij, drejtues do të jenë edhe Elisa Spiropali dhe Ogerta Manastirliu. Kjo tkurrje e pushtetit të pamatë të kryebashkiakut të kryeqytetit u përfol që disa muaj më parë pas plasjes së skandalit 5D, i cili çoi pas hekurave bashkëpunëtorët më të afërt të tij që vishnin fondet e bashkisë duke i dërguar në formë tenderash e prokurimesh në kompaninë e tyre private.
Atëhere u tha se sinjali i parë që Rama mund ti jepte drejtësisë e cila ndërkohë filloi edhe hetimin pasuror për Veliajn, do të ishte tkurrja e fuqisë së tij brenda organizatës politike të rilindjes. Shumë vetë vinin bast se Rama do ta bënte këtë me argumentimin se atij nuk kishte çi duhej më një limon i shtrydhur e i diskredituar, që ishte damkosur publikisht si maja e një piramide abuzimi galopant me fondet që paguahej për të administruar.
Por shumëkush mbeti i habitur kur Rama doli me daklaratën publike se “Bashkohem fjalë e presje me qëndrimin e Erionit”, pasi ky i fundit kishte mbrojtur versionin se, njësoj si kryeministrit edhe atij, Molla, Qato e Tushe i kishin ngrënë kumblla dhe dardhë pas shpine.
Por edhe këtë shenjë të qartë marrjeje në mbrojtje më optimistët e panë si një lëvizje taktike të kryeministrit i cili se paku publikisht, nuk mund të dilte e të thoshte se parimi që vlen për mua, nuk është i vlefshëm për të tjerët. Ai nuk mund të mohonte logjikën që e ka bëtë të vetën, se janë bërë punë të mira pavarësisht se dikush ka pasur qëllime të mbrapshta.
Megjitheate serisht ata vazhdonin të shpresonin se Rama do ta godiste delfinin e vet, të nxitur edhe nga fishekziarret që u hidhte ai kur deklaronte se “unë vetëm tim bir kam timin” dhe se nuk mbroj askënd. Shpresat e tyre shtoheshin kur ai deklaronet menjëherë pas skandalit 5D: “SPAK ti nxjerrë ujin e zi korrupsionit”.
Por kjo ishte një lojë që lideri maksimal e bënte vazhdimisht. Edhe përpara se të plaste skandali i vjedhjeve brenda bashkisë, Rama e pati ktitikuar në asamble drejtuesin e Tiranës, duke i thënë se qe bërë si OJF e organizonte mbledhje kot me socialistët.
Tashme është e njohur loja e tij tërhiq e afro me lakun e vet numër 1. Ai herë e linçon me përbuzje duke i thënë të lyeje vetë muret e pallateve e ti kapë lopën katundarit, e më pas i jep përgjegjësi e fonde të mëdha që nuk i zotëron askush tjetër në PS. Por pavarësisht nga këto dilema bestydnia se Veliaj do ta paguante duke u hequr fillimisht si drejtues qarku në Tiranë vazhdonte të mbetej e fortë.
Por, ndryshe nga ç’prisinin palët që vinin bast ose për mënjanimin, ose për mbrojtjen e Veliajt, Rama bëri atë që ka bërë përherë vitet e fundit me të, ai me njërën dorë e përkëdheli, ndërsa me tjetrën e goditi. Ai as nuk e hoqi fare nga drejtimi i qarkut, as nuk i’a la të plotë fuqinë që tashmë duhet ta ndajë në tresh.
Kjo taktikë e Ramës nuk mund të spjegohet vetëm me perversitetin e të gjithëpushtetshmit që do ti keqtrajtojë ata që i lëpihen. Ajo mban brenda vetes edhe një kalkulim politik. Nga njëra anë ai e di se “Lali” tashmë është i diskredituar, i damkosur edhe me fakte si hajdut. Prandaj ai do të dërgojë në publik sinjalin se e ka lëshuar dhe është distancuar prej tij duke mbajtur gjallë dhe titujt e shtypit për këtë temë. Por ama, nga ana tjetër, ai është i ndërgjegjshëm për fuqinë që ka deleguar në duart e kryebashkiakut në këto nëntë vite. Për potencialin financiar, lidhjet me biznesin dhe ndikimin mbi mediat që i ka lejuar të grumbullojë. Dhe këto atu Rama do ti shfrytëzojë në zgjedhjet e pranverës së ardhshme. E në këtë kuptim, Veliaj i duhet. Prandaj ai e largoi disi nga vetja, por nuk e flaku. E damkosi, por nuk ia mohoi përdorimin në vazhdim. Zgjidhja më e mirë për këtë ishte duke mos e lënë të plotfuqishëm në qarkun e Tiranës, por as duke mos e hequr përfundimisht nga drejtimi i tij./lapsi