Lidhje


Zbythet qeveria. Banorëve të Thumanës, do t’ju bëhet një hyrje në autostradë

Pas më shumë se dy muajsh protesta të vazhdueshme, banorët e Krujës dhe zonave përreth ia kanë dalë të fitojnë përballjen e tyre me qeverinë, sa i takon të drejtës së tyre për të pasur hyrje dhe dalje në aksin Thumanë-Kashar.
 
 
Ditën e djeshme banorët kishin njoftuar të bënin protestën e tyre të radhës, por një përfaqësi prej tyre janë ftuar në takim nga zëvendës kryeministrja Belinda Balluku. Gjatë takimit banorët kanë marrë premtimin se rruga e tyre do të hapet.
 
 
Kjo tregon një shembull se si kur qytetarët bëhen bashkë, arrijnë të realizojnë qëllimet e tyre edhe kur përballë kanë qeverinë.
 
 
Banorët i kanë nisur protestat që prej hapjes së rrugës, por kanë protestuar edhe gjatë procesit të ndërtimit. Pavarësisht se projekti parashikonte hyrje dhe dalje për banorët e zonës, ajo nuk u realizua. Kjo situatë solli në bllokimin e 85 mijë banorëve të zonës, duke çuar bizneset drejt falimentit.
 
 
Pas marrjes së këtij premtimi, organizatorët e protestës kanë lajmëruar se do të jenë të vëmendshëm për të parë se sa do të zbatohet premtimi i qeverisë.
 
 
Vlen të përmendim se aksi Thumanë-Kashar konsiderohet si ndër më të shtrenjtit në Evropë, me vlerë 245 milion euro për vetëm 21 km. Pavarësisht se qytetarët kanë paguar këtë vlerë të madhe për të ndërtuar këtë aks rrugor, kalimi në të do të jetë me pagesë.
 
 
Rruga ka më pak se tre muaj që është hapur, teksa bazamenti i saj ka patur lëvizje dhe ankesat e qytetarëve nuk kanë munguar.
 
 
Pra në sensin e mbrojtjes të aseteve dhe pasurive të përbashkëta, këta banorë na kanë treguar shumë, na kanë dëshmuar sesi duhet të funksiononte demokracia dhe pluralizmi në vendin tonë, duke u larguar nga përfaqësimi dhe lobimi vetëm për interesa të ngushta partiake, si dhe duke i treguar puhstetit se shqiptarët dinë të bëhen bashkë për të mbrojtur ardhmërinë dhe pasuritë e tyre të përbashkëta./tvanews
XS
SM
MD
LG