Lidhje


Mediat iz’raelite: Shpërthimin e pejxherëve në Liban e miratoi Netanyahu

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu miratoi shpërthimin e pajisjeve të komunikimit pejxher gjatë konsultimeve të sigurisë me ministra të lartë dhe shefat e inteligjencës në fillim të kësaj jave.

 

Uebfaqja izraelite e lajmeve “Walla”, duke cituar zyrtarë të lartë amerikanë të paidentifikuar, njoftoi se Izraeli qëndronte pas shpërthimeve në Liban, pavarësisht se Zyra e Kryeministrit izraelit u distancua nga një postim tashmë i fshirë nga rrjetet sociale nga këshilltari i Netanyahut, Topaz Luk, i cili la të kuptohet se Izraeli është përgjegjës për sulmet.

 

Ministri libanez i Shëndetësisë, Firas Al-Abiad, tha se të paktën 9 persona, përfshirë një fëmijë, u vranë dje në shpërthimet e pajisjeve “pager” në zona të ndryshme të Libanit.

 

Ai shtoi se rreth 2.750 persona të tjerë u plagosën, përfshirë 200 në gjendje kritike. Pajisjet “pejxher”, të përdorur shpesh nga civilët dhe punonjësit e kujdesit shëndetësor për komunikim, janë pajisje të vogla me bateri të cilat përmes valëve pranojnë porosi me tekst, audio apo pamje vizuale.

 

Sipas mediave izraelite, operacioni “neutralizoi një pjesë të konsiderueshme të sistemit të komandës dhe kontrollit ushtarak të Hezbollahut”.

 

Zyrtarët izraelitë thanë se “ata janë të vetëdijshëm se tani ka një probabilitet të lartë për një përshkallëzim të rëndësishëm në kufirin verior” dhe theksuan se ushtria izraelite është “në gatishmëri të lartë për një përgjigje të shkallës së gjerë nga Hezbollahu”.

 

Një burim i paidentifikuar izraelit tha se operacioni për shpërthimin e pajisjeve “pejxher” u miratua në fillim të javës si pjesë e një serie konsultimesh të sigurisë të mbajtura nga Netanyahu me ministra të lartë dhe krerët e institucioneve të mbrojtjes dhe inteligjencës.

 

Operacioni erdhi vetëm një ditë pasi i dërguari i ShBA-së, Amos Hochstein, vizitoi Izraelin dhe paralajmëroi Netanyahun të mos nxisë përshkallëzim të madh në Liban. Një zyrtar tjetër izraelit tha se “të martën, Netanyahu dhe ministri i Mbrojtjes Yoav Galant kaluan disa orë në Kirya (qendra komanduese e ushtrisë izraelite) në Tel Aviv për të diskutuar lidhur me situatën në Liban”.

 

Një tjetër burim i paidentifikuar tha se Izraeli e zbatoi operacionin “me qëllim që të hapte një fazë të re në fushatën kundër Hezbollahut, teksa përpiqej ta mbante situatën nën pragun e luftës gjithëpërfshirëse”.

 

“Operacioni kishte për qëllim të dëmtonte sigurinë e Hezbollahut dhe të krijonte në radhët e organizatës ndjenjën se ishte depërtuar plotësisht nga shërbimet e inteligjencës izraelite”, tha burimi. Ky burim theksoi se “shërbimet e inteligjencës izraelite vlerësuan përpara operacionit se Hezbollahu mund të përgjigjej me një kundërsulm të rëndësishëm kundër Izraelit”.

 

Shpërthimi masiv i pajisjeve “pejxher” ndodh në kohën kur midis Hezbollahut dhe Izraelit ndodhin shkëmbime të sulmeve ndërkufitare në sfondin e një ofensive brutale izraelite në Rripin e Gazës, ku ka vrarë më shumë se 41.200 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, pas një sulmi të Hamasit më 7 tetor të vitit të kaluar./mesazhi

XS
SM
MD
LG