Erdogan: I"zraeli po bën plane të pamatura për të shtuar masakra të reja në listën e tyre
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, ka deklaruar se Izraeli po kryen "gjenocid" në Rripin e Gazës dhe po bën plane për të "shtuar më shumë masakra në listën e tyre", raporton Anadolu.
Gjatë një takimi me prokurorin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare, Karim Khan, të mbajtur në New York, presidenti Erdoğan tha se kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, "nuk hezitoi të shkelte ligjin ndërkombëtar dhe të drejtat e njeriut".
Takimi u zhvillua me dyer të mbyllura për mediat në Shtëpinë Turke në New York.
Sipas Drejtorisë së Komunikimeve të Türkiyes, presidenti Erdoğan i tha prokurorit Khan se Izraeli dhe administrata e Netanyahut "po bënin plane në mënyrë të pamatur për të shtuar masakra të reja në listën e tyre, duke besuar se nuk kishte fuqi për t'i ndaluar ato".
"Izraeli duhet të mbajë përgjegjësi për krimet që ka kryer dhe është jashtëzakonisht e rëndësishme që çështja e gjenocidit e ngritur kundër Izraelit në Gjykatën Ndërkombëtare Penale të përfundojë dhe që autorët e gjenocidit të marrin dënimin që meritojnë për të ruajtur besimin në të drejtën ndërkombëtare”, tha Erdoğan.
Türkiye, theksoi ai, "do të vazhdojë të ushtrojë të gjitha përpjekjet për zbulimin e krimit të gjenocidit me prova konkrete".
Türkiye dhe presidentit Erdogan kanë mbrojtur fuqishëm mbajtjen e administratës së Netanyahut përgjegjëse në gjykatat ndërkombëtare për ofensivën e pamëshirshme gati njëvjeçare në Rripin e Gazës, ku ka vrarë mbi 41.400 palestinezë dhe ka plagosur mbi 95 mijë të tjerë.
Në muajin maj, Khan kërkoi që gjykata të lëshojë urdhra arresti për Netanyahun dhe ministrin e Mbrojtjes, Yoav Gallant, me dyshimin për kryerjen e krimeve kundër njerëzimit në Rripin e Gazës.
Që atëherë, Khan ka kërkuar dy herë, së fundmi në muajin gusht, që gjykata të përshpejtojë lëshimin e urdhër arresteve.
Që nga 7 tetori i vitit të kaluar, sulmet izraelite në Gaza kanë vrarë mbi 41.400 njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe kanë plagosur mbi 95.500 të tjerë.
Sulmet izraelite ka zhvendosur pothuajse të gjithë popullsinë e territorit palestinez mes një bllokade të vazhdueshme që ka çuar në mungesa të mëdha të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.
Izraeli po ashtu përballet me akuza për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për veprimet në Gaza./AA