Lidhje


Kryetari i Bashkisë së Nju-Jorkut, Eric Adams është nën akuza penale federale.

Eric Adams, 64 vjeç, u zgjodh për të udhëhequr qytetin më të madh në Shtetet e Bashkuara gati tri vjet më parë, duke premtuar se do të pakësojë krimin. Megjithatë, ai dhe disa zyrtarë të tjerë të lartë që e rrethojnë janë nën hetimin federal për korrupsion. Nëse kjo aktakuzë konfirmohet, Adams do të bëhet kryebashkiaku i parë në historinë e Nju-Jorkut që përballet me akuza penale gjatë kohës së tij në detyrë. Ai publikoi një videodeklaratë të mërkurën në të cilën premton se do të luftojë akuzat dhe do të vazhdojë të mbajë postin, duke kërkuar durim nga banorët e qytetit.
 
 
“Unë do t’i luftoj këto padrejtësi me gjithë forcën dhe shpirtin tim. Jam i pafajshëm”, tha në videomesazhin e tij, duke shpjeguar se po planifikon të kërkojë një “gjykim të menjëhershëm në mënyrë që njujorkezët të mund të dëgjojnë të vërtetën”.
 
 
Megjithatë, ai është përballur me thirrje të shumta për dorëheqje. Prokurorët federalë pritet të paraqesin aktakuzën të enjten, kur Adams do të paraqitet para gjykatës. Akuza vjen më pak se një vit pasi agjentët federalë sekuestruan pajisjet elektronike të tij dhe kontrolluan shtëpinë e Brianna Suggs, e cila është kryesuese e tij për mbledhjen e fondeve./JOQ
XS
SM
MD
LG